Uncategorized

Rritja e shpenzimeve, “tkurr” kursimet e shqiptarëve/ Jo vetëm euro, edhe depozitat në lekë me rënie në prill

0

Depozitat në paranë e gjerë kanë vijuar rënien me ritme të shpejta edhe në muajin prill, duke konfirmuar një tendencë reçesioni gjatë 4-mujorit të parë të këtij viti. Që prej fillimit të vitit aktual, depozitat janë ulur me 2.3%.

Kështu, shifrat e prillit flasin për 1.29 trilionë lekë depozita, nga rreth 1.30 trilionë lekë të muajit paraardhës. Tkurrja e depozitave në paranë e gjerë ka nisur që në muajin prill të vitit të kaluar, duke u ndalur në gusht të vitit 2023, dhe një kthesë pati edhe në tetor dhe dhjetor të vitit që lamë pas. Në muajin e katërt të këtij viti, depozitat në paranë e gjerë janë tkurrur me 0.85%, ose 11 miliardë lekë më pak, krahasuar me një muaj më parë. Ndërsa, krahasimisht me muajt e tjerë vëmë re se rënia përllogaritet në 1.9% me shkurtin dhe 2.3% me janarin.

Krahas analizës së përgjithshme të depozitave, “Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar trendin e lëvizjes së depozitave në lekë dhe në valutë. Sa i përket depozitave në lekë, rënia mujore përllogaritet në 1.2% ku depozitat kanë zbritur pranë 580 miliardë lekëve, nga 587 miliardë që regjistroheshin në muajin mars. Nga ana tjetër, depozitat në valutë kanë zbritur pranë 708 miliardë lekëve duke regjistruar një rënie më të vogël se depozitat në lekë, prej 0.56%.

Kjo rënie e përgjithshme e depozitave në paranë e gjerë ka ardhur si pasojë e kontributit negativ të shumicës së agregatëve monetarë. Sipas analizës, vetëm depozitat pa afat rezultuan me rritje 0.4%. Por, kjo rënie e depozitave totale mund të shpjegohet edhe nga faktorë të tjerë siç mund të jetë edhe rritja e shpenzimeve konsumatore si pasojë e rritjes së çmimeve që i detyron konsumatorët të shpenzojjnë më shumë sesa të kursejnë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ekonomia u kreditua me 770 mld lekë në prill/ Më shumë hua në lekë. Biznesi “braktis” valutën

Postimi mëparshëm

Fokusi i kreditimit, tregtia dhe ndërtimi/ Rritet huaja e re në sektorët kryesorë të ekonomisë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.