Uncategorized

Më shumë sipërmarrës nga diaspora/ Anketa e RCC: Rreth 26% e drejtuesve të bizneseve në vend kanë jetuar jashtë

0

Të dhënat e Barometrit të Ballkanit të publikuara nga “Këshilli për Bashkëpunim Rajonal” në anketën e opinionit të bisnesit, tregojnë se në vitin 2023 është rritur numri i sipërmarrësve në Shqipëri që kanë jetuar dhe punuar jashtë vendit si pjesë të diasporës. Sipas të dhënave të anketës, në vitin 2023, rreth 26% prej tyre janë shprehur se kanë punuar dhe jetuar jashtë vendit të tyre. Ndërkohë, në vitin 2022, të dhënat tregonin se 21% e drejtuesve të bizneseve në Shqipëri kishin punuar dhe jetuar jashtë. Referuar të dhënave të Barometrit të Ballkanit janë rreth 70% të bizneseve në Shqipëri, të cilët janë shprehur se e kanë kryer aktivitetin brenda kufinjve të vendit të tyre.

Shifrat tregojnë se Kosova ka përqindjen më të lartë të sipërmarrësve të cilët kanë jetuar jashtë vendit përpara se të vendosnin hapjen e një biznesi apo zgjerimin e tyre në Atdhe. Gati gjysma ose 47% e të anketuarve në Kosovë janë shprehur se kanë punuar jashtë vendit të tyre më parë. Kosova vijon të majë vendin e parë me përqindjen më të lartë, ndërkohë që këtë vit në vend të dytë gjejmë të pozicionuar Bosnje Hercegovinën. Të dhënat e paraqitura grafikisht bëjnë me dije se 28% e sipërmarrësve të anketuar në Bosnje kanë jetuar dhe punuar jashtë vendit.

Ndërkohë, mesatarja e Ballkanit Perëndimor për sipërmarrësit që kanë punuar dhe jetuar jashtë vendit të tyrë është 21%, ndërsa rreth 80% e sipërmarrësve e kanë kryer aktivitetin brenda kufinjve të vendit të tyre. Nëse do të analizonim vendet e tjera të rajonit për këtë tregues, të dhënat bëjnë me dije se vendi me përqindjen më të ulët të sipërmarrësve apo menaxherëve të cilët kanë punuar dhe jetuar si pjestarë të diasporës është Serbia dhe Mali i Zi me rreth 14%.

Të dhënat e Barometrit të Ballkanit mbështeten edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave mbi numrin e emigrantëve që po shtohet nga viti në vit. Ndër qëllimet kryesore se përse ato zgjedhin largimin nga vendi janë të ardhurat që synojnë, duke i kthyer ato shumë vite më pas në investime në vendin e tyre.

A keni jetuar dhe punuar jashtë vendit si pjesëtarë të diasporës?

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rreth 8 mijë persona të prekur nga kanceri/ OBSH: Në vitin 2025 priten 7% më shumë raste të reja në Shqipëri

Postimi mëparshëm

Portofoli i huave, me rritje në të gjitha rrethet/ Kryeson Tirana me 11.4%. Durrësi dhe Shkodra, tkurrje e kredisë për shtëpi

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.