Uncategorized

Raporti i Stockholmit: Shqipëria, rekord shpenzimesh ushtarake/ Frika nga lufta “nxit” blerjen e armatimeve. Shpenzuam $140 për frymë

0

Kërcënimi nga konfliktet e vazhdueshme në botë, me përfshirjen e fuqive më të mëdha të saj, kanë bërë që shumë vende të rikthejnë vëmendjen të fuqia ushtarake. “Scan Intel” ka analizuar shifrat e një prej institucioneve më me peshë në nivel global në drejtim të industrisë së mbrojtjes, që është “Instituti Ndërkombëtar për Kërkim dhe Paqe i Stockholmit” (SIPRI). Ky institut radhit pjesën dërrmuese të vendeve të globit bazuar në shpenzimet për mbrojtjen. Ne do të analizojmë këto shpenzime për vitin 2023, të cilat janë të dhënat e fundit publike në nivel global, për frymë, të shprehura në dollar, si dhe shpenzimet totale të shprehura në monedhën vendase.

Ajo që vihet re nga të dhënat është se Shqipëria gati ka dyfishuar shpenzimet ushtarake në vitin 2023, krahasuar me një vit më parë. Nisur nga të dhënat e “Institutit Ndërkombëtar për Kërkim dhe Paqe i Stockholmit”, shpenzimet ushtarake të Shqipërisë llogariten në 40.2 miliardë lekë, ose rreth 400 milionë dollarë, duke u rritur me 55%. Në vitin 2022, shpenzimet ushtarake të Shqipërisë llogariteshin në 25.8 miliardë lekë.

Trajektorja e shpenzimeve ushtarake në vendin tonë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, tregon se pesha është rritur nga 1.2% në vitin 2022, në 1.7% në vitin 2023. Ndërkohë, niveli më i lartë i këtij treguesi vërhet nga viti 1980 deri në vitin 1991.

Por sa janë shpenzimet e Shqiperisë të llogaritura për frymë? Nga këto të dhëna rezulton se shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen në vit fiksohen në $140 për frymë, nga $77 që ishin në vitin 2020. Por si na pozicionon në rajon kjo shifër? Më mirë se Kosova, me $80 për frymë, Bosnje Hercegovina me $67 për frymë apo Maqedonia e Veriut me $127 për frymë. Vendi ynë është në pozita më të dobëta se Mali i Zi, me rreth $182 për frymë apo Serbia që kryeson me rreth $298 për frymë.

Po krahasuar me vendet e tjera të Europës? Veç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Europë vetëm Gjeorgjia dhe Moldavia raportojnë një shifër më të ulët se vendi ynë, çka do të thotë se në drejtim të shpenzimeve për mbrojtjen në raport me popullsinë jemi ndër 5 vendet e fundit në kontinentin e vjetër. Në Europë kryeson Ukraina me nivelin më të lartë të shpenzimeve ushtarake për frymë, deri në $1762 dollarë për frymë.

Në nivel global ndërkohë, Izraeli renditet i pari, me rreth $2997 dollarë për frymë në vit, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rreth $2694 për frymë dhe më pas Arabia Saudite, Kuvajti dhe Singapori.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Lulëzon” tregu i makinave/ Regjistrohen 47% më shumë se vjet. Importi i mjeteve të transportit, rekord në mars

Postimi mëparshëm

Shqiptarët po përdorin më shumë kakao?! Importi i këtij produkti në mars, shumë pranë rekordit historik

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.