ÇmimetEkonomiUncategorized

Inflacioni, me rënie modeste/ Zbret në 7.2% në Janar. Por, ushqimet, 13.3% më të shtrenjta

0

Inflacioni e ka nisur vitin me një rënie të mëtejshme, paçka se modeste, duke zbritur pranë 7.2%, nga 7.4% që ishte në muajin dhjetor, sinjalizojnë shifrat më të fundit mbi Indeksin e Çmimeve të Konsumit nga Instituti i Statistikave. Kështu, gjatë janarit të këtij viti çmimet rezultojnë 7.2% më të larta se janari i vitit të kaluar, si dhe 1.1% më të larta se dhjetori i vitit të kaluar. Gjatë janarit të një viti më parë ndërkohë, norma e inflacionit fiksohej pranë 3.7%.

Sipas Instat, ndikimin më të madh në normën e inflacionit prej 7.2% në janar e ka dhënë grupi “ushqime dhe pije joalkoolike”, me 4.67 pikë përqindje. Ndërkohë grupet e tjera duket të kenë dhënë një impakt ndjeshëm më të vogël, duke nisur nga ai “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.56 pikë përqindje, ndjekur nga “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0.52 pikë përqindje, “Transporti” me 0,39 pikë përqindje, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0.26 pikë përqindje, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.25 pikë përqindje, etj. Grupi “Argëtim dhe kulturë” ka dhënë kontributin më të ulët, me vetëm 0.04 pikë përqindje, ndërkohë që asnjë grup tjetër nuk duket të ketë dhënë kontribut negativ.

Sa i përket ndryshimit të çmimeve të grupeve kryesore krahasuar me një vit më parë vërejmë se në vend të parë qëndron grupi “Ushqime dhe pije joalkolike”, me 13.3% rritje të çmimeve, ndjekur nga grupi i “Mobilimit dhe pajisjeve shtëpiake”, me 6.6%, si dhe transporti me 6.5%. Edhe grupi i “hotele, kafene dhe ristorante” regjistron një normë inflacioni relativisht të lartë për janarin, pranë 5.6% krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Sakaq, vijon të ngrejë pikëpyetje grupi “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, me një normë inflacioni pranë 2.4%.

Vetëm sa i përket ushqimeve ndërkohë, çmimet rezultojnë 13.9% më të larta në janar, krahasuar me janarin 2022. Rritjen më të lartë e regjistrojnë produktet e bulmetit, 26.4% më të shtrenjta se një vit më parë, ndjekur nga vajrat dhe yndrynat me 21.4% shtrenjtim, peshku me 17.3%, buka dhe drithërat me 15.3%, mishi me 14.4%, sheqeri dhe ëmbëlsirat me 14.3%, etj. Frutat janë i vetmi nëngrup i ushqimeve që regjistrohen me rënie të çmimeve krahasuar me janarin e vitit të kaluar, me -0.7%.

Ndryshimet mujore të çmimeve ndërkohë, tregojnë se ushqimet vijojnë të qëndrojnë në krye, plot 2.6% më të shtrenjta në janar krahasuar me dhjetorin, dhe ku shtrenjtimin më të madh e regjistrojnë zarzavatet, por që janë produkte sezonale. Shqetësuese duken çmimet e mishit, peshkut dhe bulmetit, në rritje mes 1.5% dhe 1.9% në janar, krahasuar me dhjetorin. Në grupet e tjera ndërkohë nuk vihen re luhatje të mëdha të çmimeve krahasuar me muajin paraardhës.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shpenzimet, Shqipëri vs Europë/ Për ushqim shpenzojmë 41% të të ardhurave, 3 herë më shumë se europianët

Postimi mëparshëm

Kreditë me probleme e mbyllin vitin me sukses/ Dhjetori rikthen tendencat rënëse, treguesi ulet në 5%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.