Uncategorized

Shqipëri vs Europë, si ndryshuan shpenzimet? U shpenzua më pak për ushqim dhe më shumë për restorante dhe hotele

0

Familjet shqiptare mbajnë rekord në Europë sa i përket peshës që zënë ushqimet dhe pijet jo alkolike në shpenzimet e tyre, por janë të fundit për shpenzimet në argëtim dhe kulturë. “Scan Intel” ka kryer një analizë, duke krahasuar strukturën e shpenzimeve familjare në Bashkimin Europian dhe Shqipëri sipas qëllimit të konsumit referuar kryqëzimit të të dhënave të “Institutit të Statistikave” dhe të “Agjencisë Europiane të Statistikave”. Referuar shifrave të vitit 2022  të publikuara nga institucionet përkatëse, familjet shqiptare shpenzojnë shumë herë më shumë për ushqime se ato europiane.

Kështu, për vitin 2022 rezulton se ky grup zë 39.7% të peshës gjithsej. Nëse do të shihnim të dhënat për Bashkimin Europian, grupi “Ushqim dhe pije jo-alkoolike” zë 13.6% të shpenzimeve gjithsej. Nga ana tjetër, ajo që bie në sy është diferenca mes shpenzimeve për banesën, ujin dhe energjinë në Shqipëri dhe Europë. Pesha që zë ky grup në shpenzimet e familjeve shqiptare është 9.8%, ndërkohë mesatarja e Bashkimit Europian është 24.1%. Po ashtu, diferenca të ndjeshme ndihen edhe te grupi “Transporti”, ku në Shqipëri zë një peshë prej 6.9%, ndërkohë që në Bashkimin Europian ky tregues është 12.5%. Nga ana tjetër, duket se shqiptarët shpenzojnë shumë herë më pak se europianët në argëtim dhe kulturë. Gati 6 pikë përqindje është diferenca mes peshës që zë ky grup në shpenzimet e shqiptarëve mes shpenzimeve të vendeve të europës.

Por si ndryshoi struktura e shpenzimeve në harkun kohor të një viti për Shqipërinë dhe vendet e Europës? Ka një koherencë mes dy rasteve pasi edhe vendi ynë, por edhe Europa kanë rritur në mënyrë të ndjeshme shpenzimet për “Restorante dhe hotele”. Pesha që zë ky grup në shpenzime është rritur në të dy rastet me 1.8 pikë përqindje.

Pra, sa i përket zërit të shpenzimeve “Restorante dhe hotele”, i cili zë 7.3% të buxhetit gjithsej arrin një vlerë mesatare mujore prej 6,448 lekë për të cilin konstatohet një rritje prej 37.5%” gjatë vitit 2022 e cila ka ardhur si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për shërbime akomodimi.

Nga ana tjetër, ajo që vihet re është pesha në rënie e shpenzimeve në vendin tonë për argëtim dhe kulturë dhe rritje të shpenzimeve për këtë grup në vendet e Europës. Si në vendin tonë, ashtu edhe në Europë, janë ulur shpenzimet për ushqim.

Në vitin 2022, shpenzimet për konsumin final të familjeve në BE u rritën me 4.7% krahasuar me vitin 2021, ndërsa ishin 1,0% më të larta krahasuar me 2019. Ndërkohë shpenzimet mesatare mujore në Shqipëri ishin 4.5% më të larta.

Krahasuar me vitin 2021, në vitin 2022 u vu re rritje e konsiderueshme e konsumit familjar për mallra dhe shërbime që ranë në mënyrë të paprecedentë në vitin 2020 për shkak të pandemisë COVID-19.

(shiko këtu)

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa po kursejnë shqiptarët nga sistemi AIPS? Vetëm në dy muaj përmes tij u transferuan 723 mln euro

Postimi mëparshëm

Pse Shqipëria po e ndryshon skemën e pensioneve pas 10 vitesh? Përpunimi i shifrave, çfarë solli skema e miratuar në vitin 2014-të

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.