Uncategorized

Ekonomia ngadalësoi ritmin në vitin 2023/ PBB-ja ngjitet me 3.44%. Ndërtimi dhe administrata publike “udhëhoqën” rritjen

0

Ekonomia është ngadalësuar në vitin 2023 tregojnë të dhënat më të fundit të INSTAT. Me vlerësimin e tremujorit të fundit, INSTAT jep një vlerësim paraprak të PBB-së për vitin 2023, i cili mbështetur në vlerësimet tremujore, shënoi një rritje prej 3.44%, krahasuar me vitin 2022 kur rritej me 4.84%. Të dhënat tregojnë se që nga viti 2021, ku PBB-ja paraqitej me rritje në 8.91%, në vitet pasuese ky tregues ka ardhur duke rënë. Nga ana tjetër, konsumi i populatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi, u rrit gjithashtu me vetëm 1.55% në tremujorin e fundit, nga 2% që rritej në tremujorin e tretë të vitit.

Ndërkohë, Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e katërt të vitit 2023 vlerësohet me rritje prej 3.80%, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2022. Ndërtimi është zëri që ka regjistruar kontributin më të lartë me 1.28 pikë, ndjekur nga Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me 1.01 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me 0.66 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me 0.58 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me 0.46 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me 0.28 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me 0.15 pikë përqindje, Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me 0.07 pikë përqindje. Negativisht kontriboi grup: Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me 0.72 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me 0.23 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me 0.27 pikë përqindje.

“Scan Intel” ka përpunuar dhe analizuar të dhënat për të kuptuar sesi kanë ndryshuar degët kryesore të ekonomisë. Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit shënoi rënie prej 3.07%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 2.03%. Aktiviteti i Ndërtimit, nga ana tjetër, pati një rritje me 10.80%. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 0.38%. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 8.81%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 7.50% dhe aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 10.33%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bizneset në vend, “pro” tranzicionit të gjelbër/ RCC: Jemi më optimistët në rajon për kalimin në një ekonomi “green”

Postimi mëparshëm

Çfarë ndikimi pati kursi i këmbimit gjatë vitit 2023? Analiza e BSH/ Nga arsyet e mbiçmimit të lekut, deri tek impakti në ekonomi

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.