Uncategorized

Eksportet i rikthehen rënies dyshifrore/ Bien me 21.8% në Nëntor, lëndët djegëse dhe tekstilet patën kontributin më të lartë

0

Ndërkohë që në muajin Tetor të këtij viti eksportet ngadalësuan rënien, të dhënat tregojnë se në muajin Nëtor të këtij viti eksportet e mallrave arritën vlerën 33 mld lekë, duke rënë me 21.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pra nga të dhënat vihet re se rënia është thelluar. Po ashtu paraqiten me rënie deri në 9.9%, në krahasim me një muaj më parë, pra Tetorin e vitit 2023. Importet e mallrave arritën vlerën 72 mld lekë, duke rënë me 7.4%, në krahasim me një vit më parë dhe me 8.2%, në krahasim me Tetorin 2023. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 39 mld lekë, duke u rritur me 9.9%, krahasuar me muajin Nëntor të vitit 2022 dhe duke rënë me 6.7%, në krahasim me një muaj më parë.

Nga ana tjetër, referuar analizës së të dhënave në volum, pra në peshë eksportet dhe importet janë në drejtime të kundërta më njëra tjetrën. Importet kanë shënuar rritje, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti me parë, ndërkohë eksportet paraqiten me rënie. Eksportet në peshë kanë rënë me 4.8%, krahasuar me muajin nëntor të vitit 2022, ndërsa importet janë rritur në peshë me 11.6%.

Në harkun kohor të njëmbëdhjetë muajve eksportet e mallrave arritën vlerën 403 mld lekë, duke u ulur me 9.8% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që importet e mallrave arritën vlerën 800 mld lekë, duke u ulur me 6.5%. Kjo rënie gjatë kësaj periudhe ka qenë kryesisht e ndikuar nga rënia e çmimeve apo zhvlerësimi i euros.

“Scan Intel” ka analizuar edhe kontributin e grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve. Sipas analizës konstatojmë se ndikimin më të lartë në rënien e eksporteve e ka patur grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 10.4 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 5.7 pikë përqindje. Për të disatin muaj radhazi eksportet e tekstileve dhe këpucëve janë paraqitur me një tendencë në rënie për shkak të paqëndrueshmërisë së euros, duke bërë që fasonet të jenë në një krizë.

Në një analizë paralele, rezulton se në rënien e importeve ndikimin më të madhe e ka patur grupi “Materiale ndërtimi dhe metale” me 3.8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 2.7 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me 2.2 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 2.6 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me 0.5 pikë përqindje.

Po të analizojmë ndryshimin vjetor sipas grupmallrave shohim se në peshë rënien më të lartë sa i përket eksporteve e kanë shënuar grupi “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure” me 31.2%, ndërkohë ndjek në renditje me një rënie të konsiderueshme “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 29.1% dhe “Tekstile dhe këpucë” me 19.2%, çka konfirmon impaktin e zhvlerësimit të euros te industria fasone. Rritje në volum në drejtim të eksporteve kanë shënuar grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” dhe “Produkte kimike dhe plastike”.

Në drejtim të importeve, shifrat tregojnë se janë rritur në volum, ndërkohë që me rënie paraqiten vetëm grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” me 8.2%, “Tekstile dhe këpucë” me 1.1% dhe “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure” me 29.8%.

“Scan Intel” ndër të tjera ka analizuar edhe ndryshim në vlerë të importeve dhe eksporteve sipas grupeve. Shifrat tregojnë se për eksportet me rritje paraqiten vetëm produktet kimike dhe plastike me 33.1%, ndërkohë të gjitha grupet e tjera janë në rënie. Rënien më të lartë vjetore të eksporteve në vlerë e kanë regjistruar grupet “Minerale dhe lëndë djegëse” me 49.1% dhe “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure” me 24.5%, krahasuar me nëntorin e vitit 2022.

Ndërkohë, nga ana tjetër, nëse analizojmë ndryshimin vjetror të importeve në vlerë shohim se me rritje janë vetëm ushqimet dhe makineritë, ndërkohë të gjitha grupet e tjera janë më rënie, ku rënien më të lartë e ka regjistruar grupi “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure” me 26%.

Sipas të dhënave, në muajin Nëntor 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rënien më të madhe të eksporteve, në krahasim me nëntorin e një viti më parë janë Italia me 16.7%, Kosova me 17.7% dhe Greqia me 3.0%. Ndërkohë, vendi me të cilin eksportet kanë pasur rritje më të madhe, është Zvicra me 8 herë.

Nga ana tjetër, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë Italia me 15.2%, Turqia me 36.2% dhe Greqia me 0.3%, ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë Kina me 24.4%, Gjermania me 6.7% dhe SHBA me 39.7%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi, me rritje edhe në vjeshtë/ Në jug u akomoduan 2.1 herë më shumë të huaj se një vit më parë

Postimi mëparshëm

Çmimet në Shqipëri ‘kapërcejnë’ kufirin e BE-së/ Në muajin Nëntor inflacioni sipas Eurostat arrin në 4.5%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.