EmigracioniUncategorized

Më pak shtetas ‘me sytë’ nga Europa/ Në nëntor pati 21.1% aplikime më pak se vjet, por më shumë se në verë

0

Të dhënat më të fundit të publikuara nga ‘Agjencia për Azil e Bashkimit Europian’ që i referohen muajit Nëntor të  vitit 2023 konstatojnë një rënie me 21% të aplikimeve të shtetasve shqiptarë për azil në vendet e Bashkimit Europian.

E përkthyer në shifra, aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e BE-së, gjatë muajit Nëntor të vitit 2022, ishin 1,131. Ndërkohë, në të njëjtën periudhë të vitit 2023 i janë drejtuar azilit 239 shtetas më pak. Pra,  konkretisht në muajin Nëntor të vitit 2023 kanë aplikuar gjithsej 892 shtetas shqiptarë, ku 704 prej tyre ishin aplikues të rinj ose për herë të parë dhe pjesa tjetër rezultojnë të jenë përsëritës në aplikim. Nga aplikimet e kryera, 95% janë refuzuar ose kanë marrë përgjigje negative dhe vetëm 5% e aplikimeve totale janë aprovuar. Edhe pse paraqiten me rënie krahasuar me një vit më parë, të dhënat flasin për një numër më të lartë aplikimesh në Nëntor sesa në muajt e verës.

‘Scan Intel’ ka analizuar këto të dhëna për të parë se ku pozicionohet Shqipëria krahasimisht me vendet e rajonit sa i përket aplikimeve për azil drejt vendeve të Bashkimit Europian. Sipas shifrave shtetasit shqiptarë janë më të prirur të aplikojnë për azil në vendet e Bashkimit Europian, duke e renditur kështu Shqipërinë në vendin e parë për numrin më të lartë të aplikimeve, krahasimisht me vendet e tjera të rajonit. Më pas renditet Maqedonia e Veriut me 711 aplikime, ku 56.6% e aplikimeve kanë qenë për herë të parë. Në vendin e tretë pozicionohet Serbia me 507 aplikime në total, 59.7% e të cilave janë aplikime të reja të regjistruara në muajin Nëntor të vitit 2023

Ndërkohë, me numrin më të ulët të aplikimeve janë Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina, përkatësisht me 30 dhe 127 aplikime gjithsej. Nga këto aplikime 55%-75% e tyre regjistrohen si aplikime të reja.

Në përfundim të analizës, konkludojmë se azili nuk shihet më si një ‘rrugëdalje’ nga shtetasit e rajonit pasi fluksi i aplikimeve për azil ka rënë ndjeshëm në të gjitha vendet, tendecë kjo e kundërt me atë të një viti më parë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët bëhen më “mishngrënës”/ Importi regjistroi rekord në vitin 2023. Brazili dhe Greqia, partnerët kryesorë

Postimi mëparshëm

Indeksi i lirisë, Shqipëria “në vend numëro”/ Asnjë ndryshim në renditje, ‘stonojmë’ në funksionimin e sistemit ligjor

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.