Buxheti i shtetit për shëndetësinë gjatë vitit aktual fiksohet pranë 65 miliardë lekëve, çka përkthehet në rreth 580 milinë euro në vit. Këto janë paratë që qeveria shqiptare kanalizon për sektorin publik të shëndetësisë në vit. Por, nga ana tjetër, këto para nuk përfshijnë të gjithë shpenzimet për shëndetin, pasi siç dihet një pjesë e madhe parash dalin edhe nga xhepat e qytetarëve, ku përfshihen pagesat në klinikat dhe spitalet private, ilaçet, dhe fatkeqësisht edhe ryshfeti. Në ditën ndërkombëtare të shëndetit, “Scan Intel” analizon pikërisht koston e shëndetin për shqiptarët, duke bërë bashkë atë indirekte, pra pagesën nga buxheti i shtetit, pra para që mblidhen po nga taksat tona, si dhe paratë e shpenzuara drejtpërdrejtë nga vetë qytetarët.
Anketa e fundit e buxhetit të familjes, e cila pavarësisht faktit që vjen në formën e një ankete, pra pyetësori, mbetet një prej dokumenteve më të rëndësishëm sa i përket statistikave publike. Anketa e fundit i referohet vitit 2021 dhe tregon se si i ndajnë shpenzimet mujore familjet shqiptare, nga ku rezulton se ato fiksohen pranë 4542 lekëve. Në vit kjo shifër ngjitet pranë rreth 54 mijë lekëve. Në rast se këtë shifër e shumëzojmë me totalin e familjeve në vendin tonë, rreth 765 mijë të tilla, shifra fiksohet në 41.7 miliardë lekë, ose rreth 370 milionë euro. Në rast se këtë shifër do ta krahasonim me totalin e shpenzimeve publike për shëndetësinë po në vitin 2021, kur fiksoheshin në 57 miliardë lekë, atëherë pagesat e familjeve nga xhepi për shëndetin do të përfaqësonin plot 72% të atyre buxhetore.
Pra, sipas këtyre shifrave, 65 miliardë lekë, ose 580 milionë euro në vit shpenzohen për shëndetësinë nga buxheti i shtetit nëpërmjet taksave të qytetarëve, dhe të paktën 42 miliardë lekë, ose rreth 370 milionë euro shpenzohen nga vetë xhepi jonë, për një total vjetor prej rreth 950 milionë eurosh, ose rreth 1 miliard dollarësh. Për familje kjo shifër përkthehet në 1240 euro në vit ose 1350 dollarë. Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit mbulohet edhe nga sigurimet shëndetësore që derdh në arkat e shtetit cdo i punësuar dhe punëdhënës, dhe për vitin e kaluar bëhet fjalë për mbi 16 miliardë lekë, ose rreth 140 milionë euro.
Kjo përllogaritje është bërë edhe mbi supozimin se shifrat e anketës së buxhetit të familjes tregojnë realitetin, për rreth 4500 lekë shpenzime nga xhepi nga familjet shqiptare për shëndetin në muaj. Pavarësisht kësaj shume të konsiderueshme parash, ku edhe kjo duhet marrë me rezerva pasi mund të jetë ndjeshëm më e lartë, duke pasur parasysh edhe madhësinë e ekonomisë shqiptare si dhe nivelin e të ardhurave të familjeve shqiptare, pyetja që shtrohet është: A i përgjigjet cilësia aktuale e sistemit shëndetësor në vendin tonë këtyre parave të shpenzuara?
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments