Shëndetësi

Rreth 8 mijë persona të prekur nga kanceri/ OBSH: Në vitin 2025 priten 7% më shumë raste të reja në Shqipëri

0

Shëndeti i qytetarëve në mbarë botën paraqitet në rrezik në 20-30 vitet e ardhshme dhe këtë e pohojnë edhe të dhënat e publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetit. Vetëm gjatë vitit 2022 në botë janë diagnostikuar 20 milionë raste të reja të kancerit, ndërsa deri në 2050-tën, pritshmëritë janë për rritje me 77%, pra 35 milionë raste të reja të të prekurve me kancer, term ky që përfshin më shumë se 100 sëmundje.

OBSH ka marrë në studim 115 shtete dhe ajo argumenton se shtimi i rasteve të kancerit lidhet me plakjen e popullsisë, faktorët socialë-ekonomikë si dhe ekspozimin e njerëzve ndaj faktorëve të rrezikut, siç është pirja e duhanit, substancave narkotike, konsumimi i alkooli dhe obeziteti.

‘Scan Intel’ ka analizuar të dhënat përmes të cilave konstaton se shifrat nuk janë alarmante vetëm për botën, por edhe për Shqipërinë. Konkretisht në vitin 2022 janë konstatuar rreth 8,000 raste të reja të individëve të prekur nga kanceri ndërkohë që vitin e ardhshëm pra në vitin 2025 pritet që të jenë 8,600 raste të reja në total. Specifikisht, në vitin 2022 rreth 4,600 raste të identifikuara i përkisnin burrave dhe 3,400 grave, ndërkohë që në vitin 2025 pritet që të ketë një rritje me rreth 7% të rasteve të reja të kancerit për të dyja gjinitë.  Në vlerë absolute themi se vitin e ardhshëm pritet të jenë 3,670 gra dhe 4,930 burra të prekur nga kanceri. Sa i përket jetëve të humbura nga kanceri në të gjithë botën, për 9.7 milionë persona kjo sëmundje ishte fatale përgjatë vitit 2022. Vdekshmëria ishte më e larë tek burrat, të cilët sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 në 9 prej tyre humbi jetën, ndërsa te gratë, raporti ishte 1 me 12.

Sipas OBSH kanceri i mushkërive, gjirit dhe zorrës së trashë, janë tre llojet e kancereve më të përhapura në mbarë botën. Referuar rasteve të konstatuara rezulton se kanceri i mushkërive ishte kanceri më i zakonshëm me 2.5 milionë raste të reja që përbënin 12.4% të totalit. Ndërkohë, kanceri i gjirit të femrave renditet i dyti me 2.3 milionë raste ose 11.6% të totalit. Më pas ndjek kanceri kolorektal me 1.9 milionë raste dhe ai i prostatës me 1.5 milionë raste.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Besimi në ekonomi e nis vitin në “zbritje”/ Konsumatorët, më pesimistë për ekonominë gjatë muajit Janar

Postimi mëparshëm

Më shumë sipërmarrës nga diaspora/ Anketa e RCC: Rreth 26% e drejtuesve të bizneseve në vend kanë jetuar jashtë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.