EkonomiNdërtim

Pagat në ndërtim u rriten më shumë se në Europë/ Shqipëria vendi i pestë me ngjitjen më të lartë, punonjësit u paguan 16% më shumë se në 2021

0

Sipas të dhënave të “Agjencisë Europiane të Statistikave” Shqipëria është ndër pesë vendet e para e cila regjistron rritjen më të lartë të pagave në sektorin e ndërtimit gjatë vitit 2022. Pagat janë rritur me 16% përgjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021, ndërkohë janë rritur me 63% krahasuar me periudhën bazë, vitin 2015-të. Mesatarja e Bashkimit Europian sa i pëket rritjes vjetore të pagave në sektorin e ndërtimit është 7.9%, ndërsa krahasuar me periudhën bazë, pra viti 2015=100, rritja llogaritet në 40%.

Referuar të dhënave, gjatë vitit 2022, Turqia ka regjistruar rritjen më të lartë të pagave në “Ndërtim” me 74.7% më shumë se në vitin 2021. Pas Turqisë ndjek Irlanda me 25.1% rritje të pagave në ndërtim dhe vijon me Malin e Zi me 16.2%. Sipas të dhënave të “Eurostat” vendi ynë ka rritjen e dytë më të lartë të pagave në rajon, pas Malit të Zi, kur flasim për sektorin e ndërtimit. Në nivel rajoni pas Shqipërisë dhe Malit të Zi renditet Maqedonia e Veriut me një rritje prej 14.1%, ndërkohë pagat në ndërtim në Serbi kanë shënuar rritje me 12.4%.

Nga ana tjetër, Sllovakia është i vetmi vend në Europë që krahasuar me vitin 2021 ka regjistruar rënie të pagës në “Ndërtim”, me 3%. Ndërkohë, vendet me rritjen më të ulët janë Luksemburgu me 4.7% dhe Gjermania me 5%.

Numri i të punësuarve, po ashtu, paraqitet me rritje përgjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021. Në Shqipëri numri i të punësuarve në sektorin e ndërtimit është rritur me 3.1%, ndërkohë krahasuar me periudhën bazë norma e rritjes për vitin 2022 në vendin tonë është 26.8%. Sipas të dhënave numri i të punësuarve në ndërtim në vendin tonë është rritur mbi mesataren e Bashkimit Europian, e cila regjistrohet në 2.3%.

Ky tregues është rritur më shumë në Malin e Zi me 22.9%, pasuar nga Irlanda me 18.3% dhe nga Islanda me 12.3%. Me rënie të numrit të të punësuarve në sektorin e ndërtimit paraqiten vende si: Çekia, Lituania, Finlanda, Greqia, Bullgaria, Letonia dhe Maqedonia e Veriut.

Kjo tendencë duket se është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e “boom-it” të sektorit, por edhe e mungesës së fuqisë punëtore në vendin tonë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Për shëndetësinë shpenzojmë $1 mld në vit/ Rreth $1350 për familje shpenzimet nga buxheti dhe nga xhepi

Postimi mëparshëm

Kreditë me probleme vijojnë me rritje/ Në shkurt norma ngjitet në 5.16%, nga 5.10% që ishte në janar

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.