Ndërtim

Lejet e ndërtimit “ankorohen” në Durrës/ Më shumë në tremujorin e tretë. Tre qarqe përfaqësojnë 74% të totalit

0

Së fundmi “Instituti i Statistikave” ka publikuar të dhënat për numrin e lejeve të ndërtimit për tremujorin e tretë të vitit 2023, të cilat tregojnë se numri i lejeve të miratuara është rritur me 34.2%, krahasimisht me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pra vitit 2022.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë këtij viti, është 455.181 m2, nga 418.685 m2 miratuar në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej 8.7%.

Numri i lejeve dominohet nga ndërtimet rezidenciale, kryesisht nga ndërtesa me një kat ose me dy kate. Nga të dhënat, shohim se nga 361 leje gjithsej në tremujorin e tretë të vitit aktual, 289 janë dhënë për ndërtesa rezidente dhe 72 janë dhënë për ndërtesa jo rezidente. Mes lejeve për ndërtesa jo rezidente, numrin më të madh e regjistrojnë kategoria “ndërtesa industriale” me 24 të tilla.

INSTAT, përmes publikimit, raporton se qarku me numrin më të madh të lejeve për tremujorin e tretë të vitit 2023 është qarku i Durrësit me 125 leje, ndjekur nga qarku i Tiranës ku janë lëshuar 100 leje ndërtimi.

Ndërkohë, në Korçë janë lëshuar 43 leje nga 42 të lëshuara përgjatë 3-mujorit paraardhës. Këto tre qarqe përfaqësojnë 74% të totalit të lejeve të ndërtimit të dhëna në tremujorin e tretë të këtij viti.

“Scan Intel” gjithashtu ka analizuar ecurinë e lejeve të ndërtimit sipas qarqeve krahasuar me tremujorin e dytë.  Shifrat tregojnë se vetëm tre qarqe rezultojnë me rritje të lejeve të lëshuara.

Rritja më e lartë është shënuar në qarkun e Beratit me 180%, qarku i Kukësit ka patur rritje me 33% dhe ai i Korçës me vetëm 2%. Ndërkohë, rënie të lejeve të ndërtimit kanë pësuar të gjitha qarqet e tjera ku dallojmë Vlorën me 78% rënie, Gjirokastrën me 50% rënie dhe pjesa tjetër e qarqeve me një rënie nën 50%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Udhëtimet për pushime rriten me 93%/ Në Tetor të këtij viti Shqipërinë e vizituan rreth 700 mijë të huaj

Postimi mëparshëm

Vijon sfida e rindërtimit edhe në 2024-ën/ Parashikohen rreth 7 miliardë lekë fonde për tërmetin vitin e ardhshëm

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.