EkonomiNdërtim

Në Shqipëri çdo ditë “ndërtohen” 6300 metra katrorë/ Analiza e lejeve të ndërtimit prej 1995-ës dhe vitet e “boom”-it

0

“Scan Intel” ka analizuar lejet e ndërtimit ndër vite, në mbi dy dekada për të kuptuar ecurinë e tyre, vitet kur janë dhënë më shumë leje, ato kur janë dhënë më pak, etj. Shifrat zyrtare nisin që prej vitit 1995 dhe janë publike nga Instituti i Statistikave. Sipas këtyre të dhënave, rezulton se që prej vitit 1995, deri në tremujorin e tretë të këtij viti janë dhënë mbi 48 mijë leje ndërtimi në vendin tonë, për një sipërfaqe totale prej rreth 46 milionë metrash katrorë.

Por cilat janë vitet kur janë dhënë më shumë leje ndërtimi? Nga analiza e shifrave rezulton viti 1996, me 6835 leje ndërtimi të dhëna, ndjekur nga vitit 1995, me 4605 leje ndërtimit. Më pas vijojnë vitet 2003, 2000, 2005. Mesatarja vjetore e lejeve të ndërtimit të dhëna për ndërtesa gjatë këtyre dy dekadave e gjysëm fiksohet pranë rreth 1780. Viti 2014, 2015 dhe 2012 ndërkohë janë ato me më pak leje ndërtimi të dhëna, nën 300. Në rast se analizën do ta bënim sipas sipërfaqeve, atëherë shohim se, në vend të parë qëndron viti 2010, me plot 3.4 milionë metra katrorë leje ndërtimi të dhëna, ndjekur nga viti 2008, me 2.88 milionë metra katrorë, viti 2003, 2005 dhe 2011, me nga 2.7 milionë metra katrorë. Tre vitet me më pak sipërfaqe leje ndërtimi të dhëna ndërkohë janë: 1997-ta, 2016-ta dhe 2015-ta, me më pak se 500 mijë. Mesatarja ndërkohë flet për rreth 1.5 milionë metra katrorë leje ndërtimi të dhëna çdo vit, që prej vitit të largët 1995 në vendin tonë.

Sakaq, viti 2021, si viti i fundit me të dhëna të plota flet për rreth 2.3 milionë metra katrorë leje ndërtimi të dhëna në të gjithë republikën. Kjo shifër përkthehet në 6347 metra katrorë ndërtime në ditë, 264 metra në orë dhe 4.4 metra katrorë ndërtime në minutë. Në rast se do t`i referoheshim mesatares historike ndërkohë, prej rreth 1.5 milionë metrash katrorë leje ndërtimi në vit, shifrat flasin për 4224 metra katrorë ndërtime në ditë, 176 në orë, dhe rreth 2.9 në minutë.

Në total, këto shifra tregojnë se tregu i ndërtimit në vendin tonë ndër vite ka pasur luhatje të ndjeshme, dhe se ka qenë mjaft informal. Sipas Agjencisë së Kadastrës, lejet e legalizimit që prej vitit 2006 e deri më sot fiksohet pranë rreth 212 mijë. Pra, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e ndërtimeve pa leje ende nuk janë legalizizuar dhe nuk përfshihen në këtë total prej 212 mijë legalizimesh, sërish këto të fundit janë rreth 4 herë më të larta se lejet e ndërtimit të dhëna për ndërtesa gjatë dy dekadave e gjysëm.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Energjia shtrenjton prodhimin me 21%/ Edhe çmimet e importit në rritje, por me vetëm 8.1%, krahasuar me vjet

Postimi mëparshëm

Universiteti, më pak se gjysma diplomohen/ Gratë mbizotërojnë arsimin e lartë, por meshkujt drejtojnë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.