FinancëNdërtimReal Estate

Ndërtimi dhe real estate `pushtojnë` edhe kreditimin/ Rritet ndjeshëm pesha e sektorëve në portofolin e kredisë së bankave

0

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë në lidhje me kreditimin gjatë Majit tregonin se kredia e re për sektorin privat ka prekur nivelin më të lartë që prej Majit të vitit 2019, me rreth 15.4 miliardë lekë. Por cilët janë sektorët e ekonomisë që kanë marrë më shumë kredi gjatë muajit Maj të këtij viti, dhe si kanë ndryshuar tendencat ndër vite? Në vend të parë vijon të jetë tregtia, me rreth 5.1 miliardë lekë, ose 33% të totalit. Ky sektor ndiqet nga ndërtimi, me plot 3.9 miliardë lekë.

Pikërisht sektori i ndërtimit ka prekur një rekord të ri historik sa i përket kreditimit gjatë Majit, pasi asnjëherë më parë kjo shifër nuk ka qenë në këto nivele. Në terma vjetorë, rritja fiksohet pranë rreth 23%, ndërkohë që shifra është bindshëm mbi mesataren historike të kredisë së re për ndërtimin, që fiksohet pranë rreth 2.3 miliardë lekëve. Ndërtimi zë 25% të kredisë së re për Majin, pra ¼-tën e totalit. Më pas ndjek në renditje industria përpunuese, me rreth 1.5 miliardë lekë, në rritje me 11.1%. Pavarësisht rritjes vjetore, kreditimi për këtë sektor gjatë Majit është nën mesataren historike, që fikoshet në rreth 1.8 miliardë lekë. Ky sektor përfshin edhe industrinë fasone, një prej industrive që ka vuajtur më së shumti zhvlerësimin e euros kundrejt lekut. Duket se humbjet e mëdha nga kursi i këmbimit nuk janë përkthyer në shtim të ndjeshëm të nevojës për likuiditet. “Akomodimi dhe shërbimi ushqimor” ndjek në vend të 4-tët, me rreth 1.3 miliardë lekë kredi të re gjatë muajit të 5-të të vitit.

Renditja vijon me “Aktivitete të tjera shërbimi” dhe “Energji elektrike, furnizimi me gaz, avull dhe ajër i kondicionuar”. Për këtë të fundit, në terma vjetorë rritja e kredisë së re fiksohet pranë 160%, duke regjistruar ndër normat më të larta të rritjes, së bashku me “industrinë nxjerrëse”, “administrimin publik”, “informacionin dhe komunikacionin”, si dhe “aktivitete të pasurive të paluajtshme”.

Pikërisht kjo e fundit bie ndjeshëm në sy, pasi ka rritur dukshëm jo vetëm portofolin e kredisë por edhe peshën. Për sektorin e “Real estate” janë dhënë rreth 438 milionë lekë kredi e re gjatë Majit, ose 2.8% e totalit. Edhe vlera edhe pesha janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitet pararendëse, thuajse 3 herë në rritje.

Kujtojmë se tregtia ka përfaqësur historikisht pejsën e “luanit” të kreditimit, duke zënë thuajse gjysmën e totalit. Edhe pse vijon të mbetet në vend të parë, ky dominim është zbehur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit. Tre sektorë, si “ndërtimi”, “real estate” dhe “akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, me këtë të fundit që përfaqëson në një pjesë të madhe sektorin e turizmit përfaqësojnë rreth 36% të kredisë së re gjatë majit, duke u kthyer në një `lokomotivë` të kreditimit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Nga vijnë makinat në Shqipëri? Tkurret dominimi italo-gjerman, ndërsa Korea e Jugut dhe Kina “lënë në hije” të mëdhënjtë

Postimi mëparshëm

“Real estate” udhëheq ekonominë/ Bashkë me `artet dhe argëtimin` stimuluan PBB të ngjitet në 2.72% gjatë tremujorit të parë të këtij viti

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.