Ekonomi

Vijon sfida e rindërtimit edhe në 2024-ën/ Parashikohen rreth 7 miliardë lekë fonde për tërmetin vitin e ardhshëm

0

Tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019 shkaktoi humbje të mëdha si në aspektin social ashtu edhe në aspektin ekonomik. Sipas të dhënave nga “Ministria e Financave dhe Ekonomisë” dëmi total i llogaritur nga tërmeti ishte 1 miliard euro ose 120 miliardë lekë, që është rreth 40% e investimeve totale të vendit tonë. Rreth 984 milionë euro u llogaritën dëmet në strehim, prodhim, arsim, infrastrukturë, mbrojtje civile dhe shëndetësi, ku nga këto 696 milionë euro u llogaritën si dëme dhe humbje vetëm në strehim. Sa i përket banesave të dëmtuara, rreth 11,490 njësi banimi u kategorizuan si të shkatërruara plotësisht ose të dëmtuara dhe që duhet të rindërtoheshin dhe 83,745 njësi të tjera banimi u dëmtuan pjesërisht ose lehtë, me nevojë për riparim.

Nëse do të trajtonim buxhetin e alokuar sipas viteve për programin e rindërtimit shohim se janë përdorur ose janë në përdorim rreth 90 miliardë lekë, për periudhën 2020-2023. Ndërkohë, për vitin 2024 është planifikuar që fondi i rindërtimit nga tërmeti të jetë në shumën 7 miliardë lekë. Sipas të dhënave pritet që në vitin që vjen të përfundojë procesi i rindërtimit dhe buxheti i shtetit të jetë i lirë nga shpenzimet që shkojnë për rindërtimin.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat e vëna në dispozicion për të parë se sa ishte fondi i rindërtimit dhe si u alokua ai që nga viti 2020. Sipas të dhënave nga “Ministria e Financave dhe Ekonomisë” buxheti i rindërtimit për vitin 2020 llogaritet në 16.7 miliardë lekë, për vitin 2021 në rreth 29.7 mld lekë dhe në vitin 2022 rreth 29.1 mld lekë. Pra, 75.5 miliardë lekë është realizimi faktik, për periudhën 2020-2022, nga buxheti i shtetit për transferta tek individët dhe projekte investimi publik. Sa i përket vitit 2023, buxheti për rindërtimin vlerësohet në 17 miliardë lekë, ku 5 miliardë ishin nga buxheti fillestar dhe 12 miliardë lekë u shtuan më vonë.

Sipas statisitkave, përfituesit nga nën programi ‘Grante Rikonstruksioni’ janë rreth 38,500, ndërsa përfitusit nga nën programi ‘Grante Rindërtimi’ janë 1,800. Për sa i takon angazhimit përmes buxhetit të shtetit, për ndërtimin e objekteve të reja, rezulton se nga nën-programi i Rindërtimit të Banesave Individuale është financuar rindërtimi i 2552 banesave individuale dhe nga nën-programi i Rindërtimit i Banesave Kolektive është financuar rindërtimi i 299 banesave kolektive. Sa i takon infrastukturës publike, kanë përfunduar 9 kantiere në Zonat e Reja për Zhvillim dhe janë 182 objekte arsimore të përfshira në Programin e Rindërtimit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Lejet e ndërtimit “ankorohen” në Durrës/ Më shumë në tremujorin e tretë. Tre qarqe përfaqësojnë 74% të totalit

Postimi mëparshëm

Shëndetësia, Shqipëria e fundit në rajon/ Eurostat: Shpenzimet sa 3.1% e PBB-së, mesatarja e BE-së rreth 8.5%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.