ÇmimetNdërtim

Ndërtimi vijon nën presion inflacioni/ Kostot u rritën me 5.3% në Janar-Mars, nga energjia dhe materialet

0

Inflacioni duket se vijon të jetë i pranishëm në ndërtim. Indeksi i Kushtimit në ndërtim, që mat ecurinë e çmimeve në sektor, me bazë tremujore, për tre muajt e parë të këtij viti fiksohet pranë 5.3%. Gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, rritja e çmimeve në ndërtim fiksohej në 7%, ndërsa në tremujorin e tretë të vitit 2022 pranë 7.2%. Norma prej 5.3% e rritjes së çmimeve në ndërtim është më e ulta që prej tre muajve të parë të vitit 2022, kur nisi edhe kriza e çmimeve në rang global, dhe prej të cilës u prek ndjeshëm edhe ky sektor.
Krahasuar me periudhën para krizës, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, të analizuara nga “Scan Intel” rezulton se, çmimet në ndërtim janë rritur me 8.2% në tërësi, dhe me 9.3% sa i përket materialeve të ndërtimit.

Sa i përket rritjes së çmimeve në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga shifrat rezulton se, rritjen më të lartë e regjistron zëri “Kosto të tjera”, me 7.5%, ndjekur nga “Shpenzimet për energji”, me 6.3%, si dhe materialet hidro-saniatre dhe të ndërtimit, me 6.2% dhe 6% respektivisht. Nga krahu i kundërt, si zërat me rritjen më të ulët të çmimeve rezultojnë të jenë “shpenzimet për makineri” me 3.2% dhe “shpenzimet për transport” me 3.5%.

Në terma tremujorë ndërkohë, ndryshon pak situata, pasi shifrat tregojnë se çmimet në ndërtim u rritën me 1.2% në tre muajt e parë të vitit, nga 0.8% që ishte rritja në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Por ndryshe nga inflacioni i çmimeve të konsumit, në rastin e ndërtimit, kostot janë shumë pak ose aspak të lidhura me faktorë sezonalë. Kështu, në terma tremujorë rezulton se çmimet në ndërtim më së shumti janë rritur sa i përket “shpenzimeve për energji”, me 2.5%, “kosto të tjera” me 2.3% si dhe “materiale hidro-sanitare”, me 1.5%.

Si në terma tremujorë, ashtu edhe në terma vjetorë, shifrat sinjalizojnë se asnjë prej zërave të shpenzimeve në sektor nuk ka pësuar rënie gjatë periudhës janar-mars të këtij viti,
Indeksi i Kushtimit në Ndërtim është një tregues me peshë jo vetëm në llogaritjet kombëtare, por shërben edhe si një sinjalizim për ecurinë e çmimeve në tregun imobiliar në vend. Fakti që presionet inflacioniste po vijojnë të jenë të pranishme në këtë treg, tregon se edhe çmimet e apartamenteve dhe ndërtimeve do të vijojnë të jenë nën të njëjtin presion.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Emigracioni, niveli më i lartë prej 2014-ës/ 46 mijë të larguar në 2022-shin. 1.66% e popullsisë, ose 127 individë çdo ditë

Postimi mëparshëm

Prodhimi vendas shtrenjtohet më shumë se importi/ Në tremujorin e parë të vitit çmimet u rritën me 9.4% dhe 1.2% përkatësisht

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.