Ndërtim

Më shumë leje, por më pak sipërfaqe ndërtimi/ Durrësi regjistron numrin më të lartë, vetëm katër qarqe kontribuan në rritjen e përgjithshme

0

Shifrat e publikuara së fundmi nga “Instituti i Statistikave” për tremujorin e parë të vitit 2023, tregojnë se, numri i lejeve të ndërtimit ka pësuar rritje krahasuar me një vit më parë, por edhe me tremujorin paraardhës, pra tremujorin e katërt të vitit 2022, me 8.1% dhe 3.4%. Në tremujorin e parë të këtij viti janë miratuar gjithsej 429 leje ndërtimi, ndërkohë në të njejtën periudhë të një viti më parë miratoheshin 397 leje ndërtimi. Të dhënat hisorike tregojnë se lejet e ndërtimit përgjatë tremujorti të parë të vitit janë rikthyer në një trend rritës. Kjo shifër është më e larta që nga tremujori i tretë i vitit 2021, periudhë e cila regjistronte 442 leje ndërtimi.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2023, është 415,842 metra katror nga 1,031,088 metra katror miratuar në tremujorin e parë 2022, duke shënuar një ulje prej 59.7%. Ndërkohë, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 21 miliardë lekë, nga 39 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2022, duke shënuar një ulje prej 46.3%.

Numri i lejeve dominohet nga ndërtimet rezidenciale, kryesisht nga ndërtesa me një kat ose me dy kate. Nga të dhënat shohim se nga 429 leje gjithsej, 341 janë dhënë për ndërtime rezidente dhe 88 janë dhënë për ndërtesa jo rezidente. Mes lejeve për ndërtesa jo rezidente, numrin më të madh e regjistrojnë ndërtesat tregtare, me 32 të tilla.

INSTAT, përmes publikimit, raporton se qarku me numrin më të madh të lejeve për tremujorin e parë të vitit 2023, është qarku i Durrësit, me 191 leje, pasuar nga qarku i Tiranës me 79 leje dhe qarku i Korçës me 38 leje. Durrësi është qarku i cili shënon edhe rritjen më të lartë vjetore, me plot 127.4%. Ndërkohë, të dhënat tregojnë se në qarkun e Tiranës numri i lejeve të ndërtimit ka rënë me 29.5%. Sipas shifrave vetëm katër qarqe kanë regjistruar rritje të numrit të lejeve, të cilat kanë kontribuar edhe në rritjen e përgjithshme. Përveç Durrësit me rritje paraqiten edhe Korça ne 90%, Elbasani me 29.2% dhe Shkodra me 7.7%.

“Scan Intel” gjithashtu ka analizuar ndryshimin e lejeve të ndërtimit sipas qarqeve krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Shifrat tregojnë se rritjen më të madhe e ka pësuar qarku i Gjirokastrës me 200%, pasuar nga qarku i Shkodrës me 180% dhe qarku i Lezhës me 57%. Ndërkohë që rënie të lejeve të ndërtimit kanë pësuar qarqet e Vlorës, Dibrës, Fierit, Beratit dhe Tiranës.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Depozitat në rënie për të 3-tin muaj radhazi/ “Digjen” 370 milionë euro që prej janarit. Bie edhe paraja e “gatshme”

Postimi mëparshëm

Sa është buxheti i lodrave për një fëmijë? Rreth 100 euro në vit mesatarisht. Tregu vlen thuajse 50 milionë euro

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.