Raporte

Kosova dhe Shqipëria kryesojnë rajonin/ Instituti i Vienës: Këtë vit dhe dy vitet e ardhshme, dy vendet me rritjen ekonomike më të lartë

0

“Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare” ka publikuar raportin më të fundit me projeksionet e pranverës për vitin 2023 duke parashikuar një rritje të ekonomisë për vendin tonë jo vetëm për vitin aktual, por edhe në dy vitet e ardhshme. Referuar të dhënave të buletinit të fundit, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë do të zgjerohet me 3.3% këtë vit, ndërkohë në projeksionet e kaluara ekonomia e Shqipërisë pritej të rritej me 3%. Nga ana tjetër, sipas raportit, për vitin 2024 dhe 2025 të dhënat janë akoma edhe më pozitive, me një rritje që shkon deri në 3.8% dhe 4% përkatësisht.

“Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare” parashikon se Shqipëria dhe Kosova pritet të kenë rritjen më të lartë ekonomike në rajon për vitin aktual, por edhe për dy vitet e ardhshme. Theksojmë se për Kosovën Prodhimi i Brendshëm Bruto, për vitin 2023, pritet të zgjerohet me 3.6%, ndërkohë kjo rritje për vitin 2024 dhe 2025 parashikohet në 3.9% dhe 4.1%.

Instituti i Vienës sipas parashikimeve, thotë se vendi me rritjen më të ulët ekonomike në Ballkanin Perëndimor, përgjatë vitit 2023 pritet të jetë Serbia, me vetëm 1.5%. Ekonomia e Maqedonisë së Veriut ndërkohë projektohet të zgjerohet këtë vit me 1.6%, ajo e Bosnje Hercegovinës me 1.7% dhe e Malit të Zi me 2.9%.

Parashikimet për Shqipërinë janë pozitive edhe sa i përket çmimeve të konsumit, por për vitin aktual mbeten të pandryshuara, krahasuar me projeksionet e vjeshtës. Për vitin 2023, sipas Institutit të Vienës, është parashikuar që norma e inflacionit të zbresë në 4%, ndërsa për vitin 2024 dhe 2025 parashikohet në 3% dhe 2.5%. Sipas të dhënave, Shqipëria do jetë vendi me normën më të ulët të inflacionit në Ballkanin Perëndimor për vitin 2023. Mesatarja e vendeve të rajonit sa i përket normës së inflacionit parashikohet në 8.7%, ndërkohë që vendi i cili do të regjistrojë normën më të lartë është Mali i zi dhe Serbia, deri në 10%. Nga ana tjetër, treguesi i papunësisë për Shqipërinë sipas raportit vlerësohet në 10.5% për vitin 2023 duke mos pësuar ndryshime nga projeksionet e kaluara.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Marsi rikthen tendencat rënëse të kreditimit / Por, vijon rritja e kredisë për blerje banese. Rekord huadhënie drejt kompanive publike

Postimi mëparshëm

Ku po “ikën” leku? Depozitat në rënie për të dytin muaj me radhë, “digjen” 230 mln euro. Tkurret edhe paraja në qarkullim

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.