Raporte

Edukimi financiar, larg pritshmërive/ Një individ zotëron vetëm 53% të njohurive, mesatarja globale në 63%

0

Banka e Shqipërisë me asistencën teknike të Bankës Botërore, ka hartuar Strategjinë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, një dokument i koordinuar institucionalisht për të promovuar edukimin financiar si një nxitës kyç i përfshirjes financiare, mirëqenies dhe qëndrueshmërisë për të gjithë.

Kjo strategji është hartuar duke u mbështetur në punën dhe objektivat e Bankës së Shqipërisë, në zhvillim të përpjekjeve ekzistuese shumëvjeçare në fushën e edukimit financiar, si dhe në ato të institucioneve partnere publike dhe private. Strategjia është mbështetur nga rezultatet dhe analizat e Vrojtimit për Matjen e Kulturës dhe Përfshirjes Financiare të kryer në vitin 2019 nga Banka e Shqipërisë.

Por çfarë thonë të dhënat e këtij publikimi sa i përket edukimit financiar në Shqipëri? Banka e Shqipërisë e ka kryer vrojtimin kombëtar për matjen e nivelit të kulturës dhe përfshirjes financiare të popullatës së rritur në Shqipëri, bazuar  në metodologjinë e OECD prej 13 vitesh tashmë, me një frekuencë çdo katër vite. Ky vrojtim vlerëson njohuritë, sjelljet dhe qëndrimet financiare të popullatës dhe të dhënat e tij përdoren për të informuar vendimmarrjen dhe politikat e edukimit.

Konkretisht sipas rezultateve më të fundit të vrojtimit, shifrat tregojnë se individët në Shqipëri zotërojnë vetëm 53% të njohurive, sjelljeve dhe qëndrimeve të duhura financiare, krahasuar me mesataren globale prej 63%.

Gjithashtu, një tjetër objektiv i edukimit financiar është edhe mirëqenia  financiare, objektiv ky që ka rezultuar jo i suksesshëm pasi vlerësimi i këtij treguesi ka qenë 7.7 pikë nga 20 pikë në total. Ky pikëzim tregon se individët në Shqipëri janë përgjithësisht të pasigurtë për financat e tyre. Vlerësimi i mirëqenies financiare të individëve në Shqipëri mbetet i dobët krahasuar edhe me indeksin mesatar global që është 9.5 pikë dhe ai i OECD që është 9.9 pikë.

Pra, Shqipëria paraqitet me një rezultat nën mesataren dhe kjo tregon se  mirëqenia financiare e individëve në Shqipëri është e ulët, duke i bërë të ndihen të pasigurt për të ardhmen dhe të kenë më pak besim që do të jenë në gjendje të absorbojnë goditjet financiare.

Theksojmë se me kulturë financiare do të kuptojmë ndërgjegjësimin e njohurive, aftësive, qëndrimit dhe sjelljes së nevojshme për të marrë vendime të drejta financiare, ndërsa përfshirja financiare është procesi i aksesit ndaj produkteve dhe shërbimeve financiare me synimin për të promovuar mirëqenien financiare si dhe përfshirjen ekonomike dhe sociale.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Tregtia online, biznesi shqiptar në fund të Europës/ Vetëm 1 në 7 ndërmarrje shiti mallra dhe shërbime përmes internetit

Postimi mëparshëm

Ukraina në ekonominë shqiptare/ 51.9 mln euro shkëmbime tregtare në 2023-shin, më shumë se një vit më parë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.