Raporte

Ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 3.8%/ Kombet e Bashkuara: Flukset e forta turistike mbështetën kërkesën e brendshme

0

Raporti i Kombeve të Bashkuara në edicionin e vitit 2024, për situatën ekonomike dhe perspektivat, tregon se rajonin e presin sfida të reja përgjatë viteve të ardhshme. Referuar të dhënave të buletinit të fundit, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë pritet të zgjerohet me 3.8% për vitin 2024. Nga ana tjetër, sipas raportit, për vitin 2025 të dhënat ndjekin  një trajektore më pesimiste duke parashikuar një rritje prej vetëm 3%.

Sipas raportit, përshpejtimi i pritshëm i rritjes rajonale varet nga përmirësimi i kushteve ekonomike, të cilat deri më tani kanë qenë të ndikuara nga një sërë faktorësh globalë si pandemia, konfliktet dhe kushtet mjedisore. Ekonomia botërore përgjithësisht u ndikua nga pasiguritë politike në mbarë botën, goditje të shumta që lindin nga konfliktet dhe ndryshimet klimatike që bënë kërdinë kryesisht në jetët dhe mjetet e jetesës së miliona njerëzve, më tej duke rrezikuar progresin drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Sipas të dhënave paraqitet një mjedis me norma më të larta interesi që do të jetë një sfidë e veçantë për rajonin, në veçanti për Shqipërinë dhe Malin e Zi, duke pasur parasysh mbështetjen e tyre për financimin e jashtëm. Raporti tregon se për vendet e rajonit dhe Shqipërinë çelësi për rritjen e vendeve në afat mesëm do të jenë reformat strukturore, duke u mbështetur në perspektivën e anëtarësimit në Bashkimi Europian.

Pavarësisht nga erërat e jashtme, remitancat, investimet e huaja direkte
dhe turizmi, në rastin e Shqipërisë paraqiten optimiste. Raporti ndër të tjera  përmend normën e inflacionit që po ngadalësohet në vendin tonë si dhe ndryshimet në kursin aktual të këmbimit.

Bashkimi Europian parashikon një plan rritjeje prej 6 miliardë eurosh për rajonin, që synon të dyfishojë ekonominë e Europës Juglindore gjatë dhjetë viteve të ardhshme, duke përfshirë edhe dhënien e aksesit të pjesshëm në tregun e përbashkët europian dhe thellimi i tregut rajonal.

Sipas shifrave të raportit për projeksionet e rritjes ekonomike në vendet e rajonit duket se Shqipëria pritet të ketë rritjen ekonomike më të lartë. Ekonomia e Serbisë pritet të zgjerohet me 3.2% në vitin 2024, ndërsa në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinë rritja ekonomike pritet të jetë 3%, 2.9% dhe 1.9% përkatësisht.

Për vitin 2024, sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, është parashikuar që norma e inflacionit të jetë në nivelin 3.5%, ndërsa për vitin 2025 parashikohet të zbresë pranë 2.7%.

Theksojmë se këto janë parashikimet e skenarëve bazë, të bazuara pjesërisht në Modelin e Parashikimit Ekonomik Botëror të OKB-së.

Klikoni këtu për raportin plotë

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Në Shqipëri, gati 1 në 4 banorë është pensionist/ Gjirokastra më e plakura, Kukësi dhe Tirana janë qarqet më të reja

Postimi mëparshëm

Shqiptarët, mes Tiranës dhe qyteteve bregdetare/ Vetëm tre qarqe me shtesë pozitive, pjesa tjetër po “tkurren”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.