Raporte

Shqipëria “shkëlqen” në sytë e botës/ Indeksi i Fuqisë së Butë: Jemi vendi i dytë me rritjen më të madhe në nivel global

0

“Brand Finance” ka publikuar së fundmi studimin në kuadër të “Fuqisë së Butë” (Global Soft Power Index, 2024). Koncepti i fuqisë së butë ka të bëjë me influencën globale të një vendi, pra sa aftësi ka një vend për të prodhuar efekt te vendet e tjera. Kjo matet përmes perceptimeve të njerëzve për kombet e tjera në mbarë botën. Fuqia e Butë për një vend është mjaft e rëndësishme pasi liderët globalë shpesh herë marrin vendime për politikat e jashtme bazuar mbi perceptimet e tyre për vendet e tjera. Në Indeksin Global të Fuqisë së Butë për vitin 2024, renditet edhe vendi ynë. Për këtë edicion Shqipëria pozicionohet në vend të 92-të nga 193 vende në total dhe vlerësohemi me 34.7 pikë. Në raportin e vitit 2023 rikujtojmë se vendi ynë ishte i 108-i.

Shqipëria renditet ndër pesë vendet me rritjen më të lartë në botë. Vendi ynë regjistron rritje prej 28%, e dyta pas Meksikës, e cila mban vendin e parë si shteti me rritjen me të lartë. Sipas raportit, ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme e nxitur kryesisht nga performancë e mirë në turizëm. Perspektivat ekonomike të Shqipërisë priten të mbeten pozitive në të ardhmen dhe do të jenë të siguruara kryesisht nga konsumi elastik, nga aktiviteti i ndërtimit dhe turizmi.

Theksojmë se ky indeks bazohet në disa shtylla kryesore të cilat janë: Biznesi dhe Tregtia, Qeverisja, Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Kultura dhe Trashëgimia, Media dhe Komunikimi, Arsimi dhe Shkenca, si dhe Njerëzit dhe Vlerat.

Ndërkohë që edicionin e kaluar Shqipëria renditej e fundit në rajon, këtë vit ka kaluar e dyta duke lënë pas Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinën. Serbia është e para në rajon dhe renditet në vend të 75-të, duke u përkeqësuar me 2 pozicione nga viti i kaluar. Mali i Zi vijon pas Shqipërisë dhe renditet në vend të 102 nga vendi i 78-të që ishte edicionin e vitit 2023. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina renditen në vend të 109-të dhe 111-të përkatësisht.

Rikujtojmë se edhe samitet europiane të zhvilluara në vendin tonë së fundmi i kanë dhënë një tjetër pamje Shqipërisë në sytë e shteteve të tjera, gjithmonë nëse flasim për shtyllën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Klikoni këtu për raportin plotë

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët “largohen” nga kursimet në valutë/ Në rënie edhe ato në lekë. “Tkurren” depozitat në muajin shkurt

Postimi mëparshëm

A ka mbaruar “beteja” kundër çmimeve në Shqipëri? RBI: Jo! Turizmi dhe tregu i qëndrueshëm i punës do të nxisin inflacionin

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.