Raporte

Indeksi i lirisë, Shqipëria “në vend numëro”/ Asnjë ndryshim në renditje, ‘stonojmë’ në funksionimin e sistemit ligjor

0

Sipas  të dhënave të publikuara nga “Instituti Fraser”, Indeksi i Lirisë Njerëzore në Shqipëri vlerësohet me 7.67 pikë nga 10 pikë të mundshme, duke e renditur atë në vendin e 49-të në botë, mes 165 vendeve që ishin pjesë e këtij studimi. Indeksi i lirisë njerëzore është një tregues që mat nivelin e lirisë dhe të drejtave themelore të njeriut në një vend të caktuar. Sipas studimit të publikuar ky indeks vlerëson sferat si liria politike, liria e shoqërisë civile dhe liria ekonomike. Pavarësisht vlerësimit të kënaqshëm, në rankim Shqipëria mbetet në vend numëro, me të njëtën performancë si vitin e kaluar.

“Scan Intel” ka përpunuar të dhënat për të kuptuar sesi pozicionohet Shqipëria në një sferë gjeografike më të ngushtë, pra në atë rajonale. Krahasimisht me vendet e rajonit, vendi ynë gëzon një pozicion të favorshëm për hapësirat dhe mundësitë që i jepen individit. Për vitin 2023, Shqipëria ka arritur të sigurojë vendin e dytë në renditje, pas Malit të Zi, i cili u vlerësua me 0.13 pikë më shumë. Rikujtojmë se një vit më parë, pra në vitin 2022 ajo ishte në krye të listës.

Pas Malit të Zi dhe Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut e cila është vlerësuar me 7.64 pikë dhe Bosnje Hercegovina me 7.33 pikë. Ndërkohë, Serbia renditet në vendin e fundit me pikët më të ulëta përkatësisht me  7.14 pikë. Vlerësimi dhe rezultati për secilin vend është bazuar në disa kritere si: sundimi i ligjit, siguria, liria e lëvizjes, liria e shprehjes dhe e informimit, të drejtat e pronës, madhësia e qeverisë, aksesi në financim etj. Konkretisht Shqipëria paraqitet në kushte optimiste të vlerësimit pasi ka grumbulluar 7.72 pikë për lirinë personale dhe 7.6 pikë për lirinë ekonomike.

Gjithashtu, vendi ynë është vlerësuar me 9.8 pikë përsa i përket lirisë së zgjedhjes së  besimit, 9.2 pikë përsa i përket sigurisë së qytetarëve, 6.6 pikë për lirinë e lëvizjes së lirë, 6.1 pikë për lirinë e shprehjes dhe informimit dhe më pak pikë ka siguruar përsa i përket funksionimit të sistemit ligjor ku për këtë të fundit ka marrë më pak së gjysmën e pikëve të mundshme pra 4.9 pikë.

Nga ana tjetër, shifrat tregojnë se vendet që konsiderohen më të lira në Indeksin e Lirisë Njerëzore 2023, janë Kanadaja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Estonia. Ndërsa, vendet më pak të favorizuara përsa i përket pikëzimit janë Jemeni, Irani etj

Indeksi i Lirisë Njerëzore 2023, Shqipëria

Klikoni këtu për raportin plotë

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Më pak shtetas ‘me sytë’ nga Europa/ Në nëntor pati 21.1% aplikime më pak se vjet, por më shumë se në verë

Postimi mëparshëm

Gjeografia e turistëve të huaj gjatë vitit 2023/ Erdhën rreth 10.1 milionë të huaj, pjesa më e madhe nga Europa Jugore dhe Perëndimore

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.