Financë

Ku po “ikën” leku? Depozitat në rënie për të dytin muaj me radhë, “digjen” 230 mln euro. Tkurret edhe paraja në qarkullim

0

Depozitat në paranë e gjerë kanë rënë për të dytin muaj me radhë gjatë marsit, sinjalizojnë shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë të analizuara nga “Scan Intel”, duke zbritur pranë 1.27 trilionë lekëve, nga 1.28 trilionë lekë që ishin gjatë muajit shkurt të këtij viti. Rënia fiksohet në 0.9%, nga 1.2% që ishte tkurrja gjatë shkurtit. Në vlerë kjo tkurrje e depozitave në paranë e gjerë fiksohet pranë 11.2 miliardë lekëve, që përkthehen në 100 milionë euro. Në shkurt “digjeshin” 132 milionë euro depozita, çka tregon se në dy muaj janë akumuluar mbi 230 milionë euro humbje. Rënia e depozitave për dy muaj me radhë ndodh për të parën herë pas një viti, pasi ekzaktësisht në shkurt-mars të vitit të kaluar, depozitat në paranë e gjerë tkurreshin dy muaj me radhë, paçka se në nivele ndjeshëm më të ulta se këtë vit. Me rënien e marsit, depozitat kanë prekur nivelin e nëntorit të vitit të kaluar, kur fiksoheshin pranë 1.27 trilionë lekëve, duke “djegur” kështu 4 muaj.

Shifrat tregojnë se rënia e depozitave bankare në mars është e përhapur si në lekë ashtu edhe në valutë, paçka se është ndjeshëm më e theksuar në këtë të fundit. Shifrat tregojnë se depozitat në paranë e gjerë në lekë kanë zbritur pranë 549 miliardë lekëve, nga 550 miliardë që ishin në muajin shkurt, në rënie me vetëm 0.2% në terma mujorë. Nga ana tjetër, depozitat në valutë kanë zbritur pranë 719 miliardë lekëve, nga 729 miliardë lekë që ishin gjatë muajit pararendës, duke u tkurrur me plot 1.4%, sinjalizojnë të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Kjo rënie e ndjeshme e depozitave në valutë duket të jetë edhe efekt i luhatjes së ndjeshme të kursit të këmbimit apo i efektit të konvertimit të vlerave në lekë për çështje statistikash.

Por, ndërkohë që kanë rënë depozitat, duket se ka rënë edhe paraja në tërësi, pasi të gjithë agregatët monetarë kanë pësuar rënie gjatë marsit, si paraja e ngushtë, që përfshin paranë me likuiditet të lartë, ashtu edhe paraja që qarkullon jashtë sistemit, por edhe paraja e gjerë. Pra, shumica e indikatorëve sinjalizojnë qartë se ka më pak para në qarkullim në Shqipëri, dhe sidomos më pak lekë, çka duket se ka nxitur edhe zhvlerësimin e ndjeshëm të monedhës vendase përballë monedhave kryesore, si euro dhe dollari amerikan.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kosova dhe Shqipëria kryesojnë rajonin/ Instituti i Vienës: Këtë vit dhe dy vitet e ardhshme, dy vendet me rritjen ekonomike më të lartë

Postimi mëparshëm

Tregtia vijon të kryesojë kreditimin/ “Shëndetësia” rritje rekord, renditet në vend të dytë dhe përbën 16% të totalit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.