Raporte

Talentet, Shqipëria bën hapa para/ Indeksi global: Renditemi në vend të 56-të nga 134 shtete në total

0

Indeksi Global i Konkurueshmërisë së Talenteve për vitin 2023 e rendit Shqipërinë në vend të 56-të mes 134 vendeve në total të marra në analizë. Ky indeks i publikuar çdo vit nga “Shkolla e Biznesit për Botën” mat se si shtetet rriten, tërheqin dhe ruajnë talentin, duke i siguruar atyre një ambient të përshtatshëm për të zhvilluar strategji dhe për të qenë më të konkurrueshëm. Krahasuar me edicionin e vitit të kaluar, pra edicionin e vitit 2022, shihet se Shqipëria ka patur përmirësime të mira duke u rritur në renditje me 9 pozicione. Gjatë vitit 2022, Shqipëria renditej në vend të 65-të mes 133 vendeve në total. Sipas të dhënave të raportit duket se vendi ynë është përmirësuar edhe në pikëzim duke grumbulluar në këtë edicion 46.61 pikë nga 100 pikë në total. Vitin e kaluar vendi ynë kishte grumbulluar gjithsej 40.95 pikë. Theksojmë se vlerësimi bëhet nga 0 në 100, ku 100 do të thotë performancë shumë e mirë.

Në rajon renditjen e kryeson Mali i Zi, i pozicionuar në indeksin e përgjithshëm në vend të 50-të, pasuar nga Serbia në vend të 53-të. Nga të dhënat duket se për vitin 2023 Shqipëria ka lënë pas Maqedoninë e Veriut e cila është renditur në vend të 71 dhe Bosnje Hercegovinën të renditur në vend të 83-të.

Po të shohim të gjithë treguesit që indeksi merr në analizë, Shqipëria vlerësohet me më shumë pikë sa i përket tërheqjes së talenteve, ku raporti na rendit në vend të 50-të nga 134 shtete pjesëmarrëse. Gjithashtu vihet re një përmirësim në indeksin e ruajtjes së talenteve ku renditemi në vend të 51, nga vendi 68-të ku Shqipëria ka qenë e pozicionuar një vit më parë. Po ashtu një pozicionim të mirë kemi edhe për rritjen e talenteve ku renditemi në vend të 54-t. Nuk mund të themi të njëjtën gjë për indeksin e aftësive profesionale dhe teknike pasi këtë vit Shqipëria është zhvendosur me 6 vende në renditje, ku përkatësisht ka një rënie nga vendi i 58-të në vitin 2022 në atë të 64 në vitin 2023. Ndërkohë, një renditje aspak pozitive kemi edhe sa i përket aftësive dhe njohurive globale ku Shqipëria renditet në vend të 82.

Ndërkohë në nivel global vendin e parë në këtë renditje e mbajnë vende si Zvicra, Singapori, Shtetet Bashkuara të Amerikës dhe Danimarka. Në fund të renditjes gjejmë vende si Kongo, Etiopia dhe Angola.

Për të parë raportin e plotë klikoni këtu

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Tkurret” inflacioni në muajin Tetor/ Arrin në 3.8%. Ushqimet me ndikimin më të madh, zarzavatet vijojnë të jenë “të kripura”

Postimi mëparshëm

Sa lekë planifikon të na japë qeveria? Shifrat e buxhetit 2024, rreth 266 mijë lekë në vit ose 22 mijë lekë në muaj

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.