Financë

Marsi rikthen tendencat rënëse të kreditimit / Por, vijon rritja e kredisë për blerje banese. Rekord huadhënie drejt kompanive publike

0

Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhënat e fundit mbi nivelin e huave të reja të disbursuara gjatë muajit mars sipas qëllimit të përdorimit dhe monedhës gjatë periudhës. Sipas shifrave, gjatë muajit të tretë të vitit, flukset hyrëse të parasë në nivel huash të reja fiksohen në 27.99 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shohim që niveli i huave të reja gjithsej ka pësuar një rënie të lehtë me vetëm 153 milionë lekë, nga 28.14 miliardë lekë që llogaritej për marsin e 2022-shit. Nëse e shohim sipas së njëjtës periudhë të tetë viteve të fundit, ky është niveli i dytë më i lartë i kreditimit, me një diferencë të lehtë me shkurtin e vitit të kaluar.

Vlera e kreditimit gjithsej për muajin është shpërndarë midis biznesit, që ka marrë 15.62 miliardë lekë, ndërkohë që 8.8 miliardë lekë janë marrë nga individët dhe 3.5 miliardë lekë të tjera nga korporatat jofinanciare publike. Kreditimi drejt korporatave jofinaciare publike ka shënuar një rritje rekord historik krahasuar me të njejtën periudhë që nga viti 2016. Në marsin e vitit të kaluar niveli i kreditimit fiksohej në vlerën 6 milionë lekë, ndërkohë krahasuar me të gjitha periudhat mujore të tetë viteve të fundit vlera e marsit të këtij viti renditet në vendin e pestë.

Huatë e reja në monedhën vendase për individët mbizotërojnë ndaj asaj në valutë. Nga huatë e reja për financimin e individëve, 4.7 miliardë lekë ka qenë kredi e re në monedhën vendase, 4.1 miliardë lekë në euro dhe vetëm 3 milionë lekë në dollarë. Përsa i takon financimit të bizneseve, huatë e reja në monedhën vendase kanë qenë në vlerën 6.8 miliardë lekë, 8.7 miliardë lekë në euro. Shohim në këtë mënyrë që korporatat private ose bizneset, ndryshe nga individët, vijojnë të preferojnë ndjeshëm kreditë në euro, krahasuar me monedhën vendase. Ndër të tjera, kjo favorizohet nga euroizimi i lartë i ekonomisë dhe sektorit financiar dhe nga influenca e euros në marrëdhëniet tregtare të vendit.

Nëse ndalemi të shohim vlerën e huave për blerje banesash krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka regjistruar rritje. Kështu, sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, nga 8.8 miliardë lekë të huave të reja për individë, 5.1 miliardë rezultojnë për blerje banese përgjatë muajit shkurt 2023, në të gjitha valutat. E thënë ndryshe më shumë se gjysma e vlerës së huave të reja që janë marrë nga individët përgjatë marsit, kanë qënë me qëllim për blerje banese. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo vlerë ishte 4.9 miliardë lekë, duke pësuar një rritje prej 4%.

Vitin e kaluar, sidomos në gjysmën e dytë të tij, u vu re një ngadalësim i ritmeve të kredidhënies si pasojë e inflacionit të lartë, rritjes së normave të interesit dhe politikave konservatore të bankave. I njëjti ngadalësim u konfirmua edhe gjatë muajit të parë të vitit 2023, muaji shkurt ndërpreu ketë tendencë duke llogaritur një rritje të lehtë të nivelit të kreditimi por marsi riktheu sërish tendencat rënëse.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria po i shfrytëzon gjithmonë e më pak burimet natyrore/ Bie prodhimi vendas, rritet varësia nga importet

Postimi mëparshëm

Kosova dhe Shqipëria kryesojnë rajonin/ Instituti i Vienës: Këtë vit dhe dy vitet e ardhshme, dy vendet me rritjen ekonomike më të lartë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.