EkonomiRaporte

Anëtarësimi në BE, shqiptarët më optimistët në rajon/ RCC: Rreth 90% e të anketuarve në vend janë shprehur pozitivisht

0

Shqiptarët duket se janë më optimistët në rajon sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Europian. Këtë tregojnë të dhënat e edicionit të nëntë të Barometrit të Ballkanit, i cili eksploron perceptimet e qytetarëve dhe bizneseve në një larmi të madhe komponentësh që ndikojnë në funksionimin dhe jetën e tyre të përditshme. Theksojmë se sondazhi i opinionit të publikut shtroi 77 pyetje për 6027 qytetarë sa i përket vitit 2023. Të pyetur se si e shohin anëtarësimin e vendit të tyre në Bashkimin Europian, rreth 92% e të anketuarve në Shqipëri janë shrehur se janë pozitivë. Nga të dhënat shihet se Shqipëria ka normën më të lartë të të anketuarve të cilët janë përgjigjur se e shohin anëtarësimin në BE si një hap të mirë dhe pozitiv për ekonominë e tyre.

Pas Shqipërisë me normën më të lartë renditet Kosova. Rreth 66% e të anketuarve atje kanë thënë se anëtarësimi do të ndikojë pozitivisht në vendin e tyre. Pas Kosovës ndjek në renditje Mali i Zi me 60%, dhe Bosnje Hercegovina e Maqedonia e Veriut me 52% dhe 50% secila. Më skeptikët duket se janë qytetarët e Serbisë me 35% të të anketuarve që janë shprehur pro anëtarësimit në BE.

Nga ana tjetër, rreth 6% e shqiptarëve të anketuar kanë thënë se nuk e shohin as mirë dhe as keq anëtarësimin dhe vetëm 1% janë shprehur kundër. Nga të dhënat vihet re se shumë pak ndryshime ka në përgjigje, krahasuar me vitin e kaluar. Pra, të anketuarit në Shqipëri vazhdojnë të jenë më entuziastët për BE-në me një shumicë dërrmuese.

Në përgjithësi, 59% e të anketuarve nga rajoni e shohin anëtarësimin në BE si një hap të mirë dhe pozitiv për ekonominë e tyre, ose 1 pikë më pak se vitin e kaluar. Pjesa e skeptikëve që pretendojnë se anëtarësimi në BE do të ishte i keq për ekonominë e tyre është njëjtë si në vitin 2022, duke qëndruar në 11%. Grupi që karakterizohet nga një qasje më neutrale, duke marrë parasysh anëtarësimi në BE është as i mirë as i keq, vlerësohet të jetë rritur me tre pikë duke arritur në 28%.

Të pyetur se çfarë do të thotë anëtarësimi në BE për të anketuarit në nivel personal, në Shqipëri shumë prej të anketuarve janë përgjigjur se do të thotë rritje ekonomike, liri për të studiuar dhe për të punuar në BE, si dhe paqe e stabilitet.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Indeksi i Njohurive, Shqipëria e 65-ta në botë/ Ngjitet me tre pozicione, performancën më të mirë e pati për arsimin e lartë

Postimi mëparshëm

Analiza/ Çfarë do të fitonte rajoni nga integrimi në BE? Banka Botërore: Kostot e tregtisë do të reduktoheshin me 4%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.