Raporte

Ekonomia do të rritet me 3% këtë vit? Instituti i Vienës: Shqipëria, vendi i dytë me rritjen më të lartë në rajon

0

“Instituti i Vienës për Studimet Ekonomike Ndërkombëtare”  është institucioni i radhës që ka parashikuar rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin aktual, por edhe për vitin 2024 dhe 2025. Sipas raportit, rritja ekonomike për vitin 2023 parashikohet në 3%, ndërkohë që për vitin 2024 dhe 2025 të dhënat janë akoma edhe më pozitive, me një rritje që shkon deri në 3.6% dhe 3.8% përkatësisht. Këto parashikime të Institutit të Vienës sinjalizojnë se Shqipëria do të jetë vendi i dytë, pas Kosovës, me rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Përëndimor në tre vitet e ardhshme. Projeksionet e këtij institucioni për Shqipërinë janë projeksionet më optimiste deri tani. Rikujtojmë se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2023, sipas FMN, parashikohej në 2%, krahasuar me vitin që lamë pas. Nga ana tjetër, sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike për vitin aktual parashikohej në 2.2%, ndërsa Moody`s flet për një rritje prej vetëm 1.8% këtë vit. Theksojmë se edhe për Bankën Botërore, por edhe për Institutin e Vienës, vendi i cili do të shënojë rritjen më të lartë ekonomike në rajon është Kosova. Banka Botërore ka parashikuar një rritje për Kosovën deri në 3.7% për këtë vit, ndërsa Instituti i Vienës ka bërë parashikime për një rritje në 3.4%. Instituti i Vienës për Studimet Ekonomike Ndërkombëtare, sipas parashikimeve, thotë se vendi me rritjen më të ulët ekonomike në Ballkanin Perëndimor është Maqedonia e Veriut, me vetëm 1%. Ekonomia e Serbisë ndërkohë projektohet të zgjerohet këtë vit me 1.5%, ajo e Bosnje Hercegovinës po me 1.5% dhe e Malit të Zi me 2.6%.

Parashikimet për Shqipërinë janë pozitive edhe sa i përket çmimeve të konsumit. Për vitin 2023, sipas Institutit të Vienës, është parashikuar që norma e inflacionit të zbresë në 4%, ndërsa për vitin 2024 dhe 2025 parashikohët në 3% dhe 2.8%. Sipas të dhënave Shqipëria do jetë vendi me normën më të ulët të inflacionit në Ballkanin Perëndimor për vitin 2023. Mesatarja e vendeve të rajonit sa i përket normës së inflacionit parashikohet në 8% në vitin 2023, ndërkohë që vendi i cili do të regjistrojë normën më të lartë është Maqedonia e Veriut, me 10%, pasuar nga Serbia, me 9%.

Edhe treguesi i papunësisë duket pozitiv për Shqipërinë sipas raportit, i cili parashikon se norma në vendin tonë për vitin 2023 do të zbresë në 10.5% nga 11.1% që ishte gjatë vitit 2022. Po ashtu optimiste janë edhe parashikimet për vitet e ardhshme, të cilat thonë se norma e papunësisë për vitin 2024 do të jetë 0.5 pikë përqindje më e ulët, me një normë deri në 10.0%. Ndërkohë, ky tregues për vitin 2025 llogaritet në 9.5%. Sa i përket papunësisë, projeksionet tregojnë se Shqipëria do jetë vendi i dytë me normën më të ulët të papunësisë, pas Serbisë e cila parashikohet të ketë një normë prej 9% për vitin 2023. Sipas raportit, vendi me normën më të lartë të papunësisë për vitin 2023 do të jetë Kosova me 23.5%, ndërkohë që mesatrja e Ballkanit Perëndimor llogaritet në 12.3%.

Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare thotë se pavarësisht luftës në Ukrainë, ekonomitë e 23 vendeve të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore po demonstrojnë qëndrueshmërinë e tyre. Edhe pse aktiviteti ekonomik është ngadalësuar ndjeshëm, shumica e tyre do të vazhdojnë të rriten në vitin 2023.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Si e mbyllën janarin monedhat? Euro “ngriti pak kokën”, dollari pranë minimumit 1 vjeçar

Postimi mëparshëm

Në Shqipëri, diploma gjithmonë e më shumë e pavlerë/ Rritet rreziku i varfërisë për ata me arsim të lartë, në 8.4%, e kundërta për ata pa “universitet”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.