ArsimEkonomi

Në Shqipëri, diploma gjithmonë e më shumë e pavlerë/ Rritet rreziku i varfërisë për ata me arsim të lartë, në 8.4%, e kundërta për ata pa “universitet”

0

Në Shqipëri 8.4% e atyre që kanë arsim të lartë janë në rrezik varfërie, thonë shifrat e Agjencisë Europiane të Statistikave. Në rrezik për të qenë të varfër klasifikohen ata individë të cilët jetojnë me një nivel të ardhurash të disponueshme, pra pas taksave, nën 60% të medianës kombëtare, ku janë të përfshira edhe përfitimet nga mbështetja sociale. Ndërkohë, si arsim i lartë klasifikohen ciklet nga 5-8 të standardit ndërkombëtar, pra që nga arsimi i lartë dy-vjeçar e më lart. Të dhënat më të fundit për Shqipërinë i referohen vitit 2020.

Sipas këtyre shifrave, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel” rezulton se, Shqipëria pozicionohet e 9-ta në Europë ndër shtetet me normën më të lartë. Por, ajo që bie në sy është fakti se më keq se Shqipëria janë vende si: Danimarka, Gjermania, Austria, Suedia, Holanda apo Spanja. Ndërkohë, Estonia dhe Letonia janë dy vendet me normën më të lartë në kontinentin e vjetër sa i përket rrezikut për të qenë i varfër mes atyre me arsim të lartë. Madje, vendet më pak problematike në Europë në këtë drejtim janë: Hungaria, Çekia dhe Rumania, me këtë të fundit që raporton se vetëm 1.4% e atyre me arsim të lartë janë në rrezik varfërie. Kjo renditje mund të jetë edhe rrjedhojë e metodoligjisë për përllogaritjen e rrezikut të varfërisë, pra që klasifikon ata që kanë të ardhura të disponueshme nën 60% të medianës kombëtare. Kjo do të thotë se dikush me arsim të lartë në Danimarkë mund të jetë më i prirur për të qenë i varfër se një i ngjashëm i tij në Shqipëri, por krahasuar me të ardhurat në shtetin e tij. Nga ana tjetër, në të ardhurat kombëtare përfshihen edhe përfitimet sociale, si pensioni, ndihma ekonomike, e papunësisë, etj, dhe një pjesë e vendeve të lartpërmendura janë mjaftueshëm sociale në këtë aspekt.

Por, ajo që bie më shumë në sy nga këto shifra është fakti se në Shqipëri, ata me arsim të lartë duket se janë gjithmonë e më shumë në rrezik varfërie. Kjo pasi norma është rritur në mënyrë progresive nga viti në vit. Në vitin 2017 kjo normë në Shqipëri ka qenë pranë 7.3%, për t`u ngjitur në 8.2% në 2018-tën, po kaq në 2019-ën dhe 8.4% në 2020-ën. Pra, kemi të bëjmë me një rritje prej 1.1 pikësh përqindje në harkun e 3 viteve. Kjo është rritje e 7-të më e lartë në Europë. Më keq se Shqipëria janë: Estonia, Turqia, Letonia, Malta, Franca dhe Bullgaria, me një normë rritje mes 1.3 dhe 2.4 pikësh përqindje, sinjalizojnë shifrat e analizuara nga “Scan Intel”. Nga krahu i kundërt i tabelës, si shtetet europiane me uljen më të madhe të rrezikut për të qenë i varfër gjatë periudhës 2017-2020 janë: Greqia me -2.3 pikë përqindje, Serbia me -2.7 pikë përqindje dhe Hungaria me -4.7 pikë përqindje.

Por, krejt e kundërta ka ndodhur për ata me arsim të ulët dhe të mesëm. Për ata me arsim të ulët norma e rrezikut për të qenë i varfër fiksohet pranë 26.3%, nga 29.3% që ishte në vitin 2017, pra në rënie me plot 3 pikë përqindje, Për ata me arsim të mesëm kjo normë fiksohet në 16.8%, nga 17.8% që ishte në vitin 2017, në rënie me 1 pikë përqindje. Për normën e rrezikut të varfërisë për ata me arsim të ulët Shqipëria renditet e 13-ta ndër më problematiket në Europë, ndërsa për ata me arsim të mesëm, e 23-ta në Europë. Pra, për ata pa arsim të lartë Shqipëria duket të jetë më e mirëpoziconuar në kontinentin e vjetër sa i përket rrezikut për të qenë i varfër, se sa ata me arsim të lartë.

Siç duket nga këto shifra, në Shqipëri ata me arsim të lartë vijojnë të jenë gjithmonë e më shumë të rrezikuar nga varfëria, si dhe më pak të favorizuar se ata me arsim të ulët ose të mesëm, nëse i krahasojmë me europianët e tjerë. Shifrat sinjalizojnë se kjo është deri diku edhe një tendencë e vendeve të tjera, që duket të jetë edhe rrjedhojë e problematikave dhe ridimensionimeve në tregun e punës, me arsimin e lartë që po humbet gjithmonë e më shumë “terren” karshi zanateve, po të kemi parasysh mungesat e mëdha në fuqi punëtore për këta të fundit. Por, pavarësisht se ka shtete që janë më keq se ne, tendenca e viteve të fundit duket mjaft shqetësuese, sidomos po të kemi parasysh edhe modelin ekonomik të Shqipërisë dhe të qenurit një vend në zhvillim. Për shoqëritë e zhvilluara diçka e tillë shpjegohet me atë që njihet si inflacioni i edukimit ose kredencializmi, pra me zhvlerësimin e diplomës dhe mungesën e përfitimeve të pritura për nivelin e diplomimit. Por, ndërkohë, në vendet e zhvilluara norma e popullsisë me arsim të lartë është ndjeshëm më e lartë se në Shqipëri. Madje, në këtë drejtim, Shqipëria lë pas shumë vende të rajonit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ekonomia do të rritet me 3% këtë vit? Instituti i Vienës: Shqipëria, vendi i dytë me rritjen më të lartë në rajon

Postimi mëparshëm

Indeksi global i bujarisë, Shqipëria e 96-ta në botë/ Renditemi si vendi “më pak bujar” në rajon, dhe i parafundit në botë për vullnetarizmin

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.