Turizëm

1.8 milionë të huaj vetëm në Korrik/ Turistët u rritën me 26%. Gjysma janë nga Kosova, por habisin malazezët, italianët dhe turqit!

0

Instat ka publikuar të dhënat e para zyrtare që hedhin dritë nëpërmjet shifrave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, pasi bëhet fjalë për hyrjet e shtetasve të huaj dhe shqiptarë gjatë Korrikut, kur edhe sezoni është në kulmin e tij. Sipas këtyre shifrave, turistët janë rritur me 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kujtojmë se viti 2022 ndërkohë regjistronte rekordin historik të turistëve në Shqipëri. Ky vit po e tejkalon ndjeshëm rekordin e kaluar. Me 26% në terma vjetorë janë rritur si turistët e huaj edhe ata shqiptarë, sinjalizojnë shifrat zyrtare.

Në terma 7-mujorë ndërkohë, pra gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, vendin tonë e kanë vizituar plot 5.17 milionë turistë të huaj, dhe rreth 8.88 milionë turistë gjithsej, përfshirë edhe hyrjet e shtetasve shqiptarë. Këta të fundit përfaqësojnë ata që kanë dalë nga vendin dhe janë rikthyer, por kryesisht shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë dhe nuk gëzojnë shtetësinë e vendit ku jetojnë dhe punojnë. Përgjatë 7 muajve të parë të këtij viti, sipas shifrave rezulton se kanë hyrë në Shqipëri rreth 30% më shumë shtetas të huaj krahasuar me 7-mujorin e vitit 2022.

Gjatë Korrikut kanë hyrë në Shqipëri rreth 1.8 milionë shtetas të huaj, nga rreth 1.4 milionë që ishin hyrjet gjatë së njëjtës periudhë të vitit paraardhës. `Scan intel` ka analizuar 10 vendet kryesore të origjinës së tyre dhe si kanë ndryshuar tendencat krahasuar me vitin 2022. Të 10-të vendet e origjinës regjistrohen me rritje, ndërkohë që Maqedonia e Veriut regjistron rritjen më të ulët, me vetëm 6.5%. Pavarësisht kësaj, renditet e 5-ta ndër vendet e origjinës së turistëve në Shqipëri, me rreth 84 mijë turistë në korrik. Vendi me rritjen më të lartë është Turqia, me rreth 222%. Ky vend renditet i 10-ti ndër ato të origjinës së turistëve në Shqipëri në Korrik, me rreth 30 mijë hyrje. Pas Turqisë ndjek Mali i Zi, me 196% rritje, dhe me rreth 100 mijë turistë në një muaj. Kjo rritje prej 3-fish e ka pozicionuar Malin e Zi të 3-tin ndër vendet e origjinës së turistëve në vendin tonë. Edhe Greqia e Gjermania regjistrojnë rritje mjaft të lartë, mbi 60%, por gjasat janë që një pejsë e konsiderueshme e tyre të jenë shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këto vende, duke pasur parasysh faktin se janë dy shtete që nuk e kanë dyshtetësinë (ose e njohin në raste të vecantë, siç është shembulli i Gjermanisë).

Kosova mbetet në vend të parë, me rreth 847 mijë turistë në Korrik, nga 1.8 milionë në total, ose 48% të totalit. Në vend të dytë ndjekin italianët, me rreth 120 mijë hyrje në total gjatë Korrikut, në rritje me 44.5% në terma vjetorë. Këta të fundit përfaqësojnë rreth 7% të totalit. Pra, 1 në 15 turistë të huaj në vendin tonë gjatë Korrikut rezulton të ketë qenë Italian. Në “Top 10”-she shohim edhe vende si Polonia apo Gjermania e Mbretëria e Bashkuar.

Nëse zbresim më poshtë në renditje shohim se rritje të konsiderueshme, mbi 100% në terma vjetorë regjistrojnë edhe vende si Spanja, Ukraina apo Bosnje Hercegovina, ndërkohë që Serbia me Çekinë raportojnë rritje mes 80% dhe 90% të turistëve. Kujtojmë se gjatë Qershorit hyrjet e turistëve nga Serbia pësuan një tkurrje të dukshme, por tendenca duket të jetë përmbysur.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Euro “anulon” dy muaj/ Prek nivelin më të lartë prej 1 Qershorit, pranë 110 lekëve

Postimi mëparshëm

Këtë verë, popullsia e Shqipërsë, 3.6 milionë – FunData/ 1 në 8 njerëz me të cilët jemi shkëmbyer ka qenë i huaj

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.