Turizëm

Turizmi “përjeton” momentin më të mirë historik/ Gjatë 11-mujorit rreth 9.5 milionë të huaj vizituan vendin

0

Statistikat e lëvizjes së shtetasve të publikuara nga INSTAT, tregojnë së më shumë të huaj hynë sesa dolën në territorin e Shqipërisë gjatë muajit Nëntor të këtij viti. Ndërkohë, nga ana tjetër, nëse do të flasim për daljet të dhënat tregojnë se përgjatë të njejtit muaj më shumë shqiptarë dolën nga vendi sesa erdhën. Më konkretisht, referuar të dhënave zyrtare, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Nëntor të vitit 2023, janë rreth 1.1 milion. Ky tregues rezulton me një rritje 35.9%, krahasuar me Nëntorin e vitit 2022.

Kjo situatë është favorizuar dhe nga rritja turistike e këtij viti duke na lënë të kuptojmë se sezoni ka vazhduar edhe në vjeshtë, konfirmuar kjo edhe nga shifrat mbi strukturat akomoduese. Konkretisht hyrjet e shtetasve shqiptarë për këtë periudhë arrijnë vlerën 552 mijë ndërkohë, që numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 547 mijë. Sipas llogaritjeve konstatojmë se rritjet respektive të hyrjeve janë 22.6% dhe 52.7%, krahasuar me muajin Nëntor të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave, përgjatë njëmbëdhjetëmujorit të këtij viti, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 9.5 milion. Ky tregues është rritur me 33.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Krahas hyrjeve “Scan Intel” ka analizuar edhe të dhënat e daljeve qoftë për shtetasit shqiptarë dhe ato të huaj. Përkatësisht daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Nëntor të vitit aktual janë 554 mijë, ndërsa daljet e të huajve janë 519 mijë. Ashtu si hyrjet edhe daljet kanë ndryshuar në të njëjtin drejtim, duke marrë pamjen e një trajektoreje rritëse. Kjo rritje përllogaritet në 19.8% dhe 38.6% respektivisht.

Ndërkohë në një analizë më të zgjeruar, konkludojmë se në Nëntor të këtij viti, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Europës me 525,182 shtetas pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore, përkatësisht me 14,100 dhe 3,577 shtetas.

Hyrjet e shtetasve të huaj kanë qëllime të ndryshme, qëllime këto që lidhen me dëshirën për pushime, qëllime personale, profesionale etj. Arsyeja kryesore pse të huajt t kanë vizituar Shqipërinë renditet ajo personale me numrin më të lartë të hyrjeve, por rritjen më të lartë e kanë patur hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale me 62%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet në Shqipëri ‘kapërcejnë’ kufirin e BE-së/ Në muajin Nëntor inflacioni sipas Eurostat arrin në 4.5%

Postimi mëparshëm

PBB ngjitet me 3.46% në tremujorin e tretë/ “Adminstrata Publike ” dhe “Real Estate” stimuluan rritjen ekonomike

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.