Raporte

Të drejtat themelore, më shumë shkelje në vitin 2022/ Avokati i Popullit: Pushteti vendor ka regjistruar numrin më lartë

0

Në vitin 2022 janë paraqitur më shumë raste mbi pretendimet për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore në çdo formë të mundshme pranë ‘Avokatit të Popullit’ tregojnë të dhënat nga ky institucion në raportin vjetor. Krahasur me vitin 2021, institucioni i ‘Avokatit të Popullit’ në vitin 2022 ka trajtuar 427 ose 7.3% raste më shumë të pretendimeve mbi shkelje të të drejtave themelore, duke e bërë vitin 2022 gjithashtu si vitin me numrin më të lartë të rasteve të paraqitura ndonjëherë. Në total janë depozituar 6,264 pretendime të shkeljeve, nga 5,837 që ishin në vitin 2021. Konkretisht, sipas të dhënave, 1,169 raste kanë rezultuar si ankesa brenda juridiksionit dhe kompetencës së institucionit, 367 raste janë trajtuar me iniciativën e institucionit, 16 raste kanë rezultuar jashtë juridiksionit në fazën e vlerësimit nga grupi i shqyrtimit të ankesave dhe 4,712 raste janë trajtuar në formën e këshillimeve dhe orientimeve mbi rrugët ligjore që duhet të ndjekin qytetarët për trajtimin e mëtejshëm të rasteve të tyre.

Gjatë vitit të kaluar ky institucion ka përfunduar hetimin administrativ për 1,826 raste të pretendimeve për shkelje të të drejtave themelore të individëve. Nga këto 737 raste ose 40% janë raste të depozituara në vitin 2022 dhe 1,089 raste apo 60%, i përkasin rasteve të depozituara vite më parë.

Ndër të tjera raporti tregon edhe shpërndarjen e rasteve sipas institucioneve përgjegjëse për shkeljet e të drejtave ndaj qytetarëve. Sipas të dhënave për vitin 2022 duket se institucionet e pushtetit vendor kanë regjistruar më shumë raste të shkeljes së të drejtave ndaj qytetarëve, me 396 të tilla. Edhe pse regjistron më shumë raste, krahasuar me vitin 2021, ka një rënie të numrit të tyre me 30%. Sistemi Gjyqësor ndjek në renditje me numrin më të lartë të rasteve më shkelje, pasuar nga sistemi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Sistemi i Ministrisë së Brendshme. Në përgjithësi vihet re një rënie e numrit të rasteve në institucione, ndërkohë rritje ka shënuar kategoria ‘Institucione të tjera’.

Gjatë ushtrimit të mandatit të tij, në vitin 2022, institucioni i Avokatit të Popullit ka adresuar në total 249 rekomandime drejtuar organeve të Administratës Publike, të cilat ndahen në 1,312 zëra të veçantë. Sipas raportit vetëm 47% e tyre janë zbatuar nga institucionet e rekomanduara, 48% nuk janë zbatuar dhe 5% nuk kanë marrë ende një përgjigje.

Për të parë raportin e plotë klikoni këtu

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi, më shumë ikën se sa erdhën/ Por, sezoni vazhdoi edhe në vjeshtë, 1.1 milion të huaj vizituan vendin

Postimi mëparshëm

Më pak llogari depozitash në vitin 2022/ Janë rreth 3.5 milion në total, 56% zotërohen nga meshkujt

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.