Raporte

Indeksi i Njohurive, Shqipëria e 65-ta në botë/ Ngjitet me tre pozicione, performancën më të mirë e pati për arsimin e lartë

0

Shqipëria renditet në vend të 65-të, nga 133 vende në total, në “Indeksin Global të Njohurive” për vitin 2023 dhe vlerësohet me 47.1 pikë. Krahasuar me vitin 2022, duket se Shqipëria është përmirësuar jo vetëm në renditje por edhe në vlerësimin me pikë. Përgjatë vitit 2022 Shqipëria pozicionohej në vend të 68-të nga 132 vende gjithsej dhe kishte grumbulluar 45.4 pikë. Për këtë vit të dhënat e indeksit tregojnë se Shqipëria është poshtë mesatares botërore sa i përket pikëve. Në raport thuhet se vendi ynë është një performues i moderuar për sa i përket infrastrukturës së saj të njohurive, por një aspekt pozitiv është renditja në vend të 8-të nga 28 vendet me zhvillim të lartë njerzor, ndërkohë që një vit më parë ishte e renditur në vend të 20 nga 28-të vendet me zhvillim të lartë.

“Indeksi Global i Njohurive”, i cili është një publikim që mbështetet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), vlerëson shtatë nën-indekse të cilat përbëjnë raportin e përgjithshëm. Këto indikatorë lidhen kryesisht me arsimin parauniversitar dhe të lartë, me kërkimin shkencor, me informacionin dhe komunikacionin, teknologjinë, ekonominë, mundësitë dhe mjedisin. “Scan Intel” i ka analizuar këto indikatorë për të kuptuar se ku ka performuar më mirë ose më keq Shqipëria. Kështu, në edukimin parauniversitar Shqipëria renditet në vendin e 66-të, ndërkohë që në edukimin e lartë renditemi në vend të 42-të. Sa i përket teknologjisë dhe komunikimt pozicionohemi në vend të 66-të, ndërkohë për trajnimet dhe edukimin teknik Shqipëria paraqitet më negativisht duke u pozicionuar në vend të 113-të. Për ekonominë renditemi në vend të 104-t, ndërsa në kërkim dhe inovacion renditemi në vend të 53-të. Pra, nga një vështrim i përgjithshëm i renditjes së pikave kryesore rezulton së vendi ynë pozicionohet më mirë sa i përket arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Panorama e përgjithshme tregon se në rajon performancën më të mirë e ka Serbia në vend të 41, pasuar nga Mali i Zi në vend të 45-të. Në vitin 2023, të dhënat tregojnë se Serbia ka parakaluar Malin e Zi në këtë rednitje. Ndjek Maqedonia e Veriut e 48-ta, pasuar nga Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina në vend të fundit në rajon.

Në nivel global në vend të parë renditen Zvicra dhe Finlanda e Suedia në vend të dytë dhe të tretë. Nga ana tjetër, në vend të fundit renditen vende si Nigeria apo Çadi.

Klikoni këtu për raportin plotë

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ukraina në ekonominë shqiptare/ 51.9 mln euro shkëmbime tregtare në 2023-shin, më shumë se një vit më parë

Postimi mëparshëm

Anëtarësimi në BE, shqiptarët më optimistët në rajon/ RCC: Rreth 90% e të anketuarve në vend janë shprehur pozitivisht

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.