Raporte

Fuqia Ushtarake, ku renditet Shqipëria? Raporti i “Global Firepower”: E 90-ta në botë, përmirësohemi lehtë në pikëzim

0

Sipas të dhënave të publikuara nga “Global Firepower” i cili mat indeksin e fuqisë ushtarake të 145 shteteve të botës, Shqipëria renditet në vendin e 90-të për vitin 2024. Ky indeks e përcakton rezultatin e një shteti të caktuar në varësi të kapacitetit për t’u mbrojtur apo për të kryer operacione ushtarake. Për llogaritjen e këtij treguesi merren në konsideratë faktorë si: numri i trupave ushtarakë, financat, teknologjia e artilerisë, aftësitë logjistike etj.

Krahasimisht me vlerësimin e këtij treguesi në vitin 2023, vendi ynë është përmirësuar duke u afruar një pozicion drejt vendeve më të fuqishme ushtarakisht. Konkretisht një vit më parë forcat ushtarake në vendin tonë u vlerësuan më 1.8466 pikë duke u renditur në vendin e 91-të mes 145 shteteve, ndërsa në edicionin e këtij viti vlerësimi në pikë është 1.8188 dhe renditemi në vendin e 90-të. Sipas kritereve të raportit një rezultat prej 0 pikësh konsiderohet “i përsosur”dhe interpretohet si një shtet ushtarakisht i fuqishëm. Por sa i gatshëm është vendi ynë të mbrohet përmes mjeteve moderne ushtarake?

Sipas indeksit, Shqipëria e regjistron buxhetin e mbrojtjes në 386 milionë dollarë, ndërkohë që ky nivel buxheti na rendit në vend të 113-të mes 145 vendeve në total, duke u përmirësuar nga një vit më parë. Pra, sa i përket shpenzimeve në fushën e mbrojtjes Shqipëria ka arritur të sigurojë një pozicion të favorshëm në renditje. Një tjetër mjet i rëndësishëm për funksionimin e mbrotjes janë edhe mjetet ushtarake të ajrit. Sipas të dhënave të indeksit vendi ynë disponon vetëm 19 avionë në total, ndërkohë nuk regjistron asnjë avion që përdoret për trajnim, asnjë avion luftarak, asnjë avion të misioneve speciale ushtarake dhe asnjë avion apo helikopter sulmues. Pra sa i përket hapësirës ajrore Shqipëria renditet në vend të 100 nga 145 shtete në total. Po në tokë sa e gatshme është Shqipëria të mbrohet dhe sa mjete ushtarake ka? Shifrat e indeksit tregojnë se në total kemi 40 tanke dhe 976 automjete ushtarake të blinduara. Po ashtu mbetemi në vend të fundit sa i përket artilerisë vetëlëvizëse dhe asaj të raketave. Pra, e thënë ndryshe, mjetet ushtarake tokësore në Shqipëri në total përbëhen nga 61% mjete të blinduara dhe 39% tanke.

Ndërkohë, përsa i përket fuqisë ushtarake që operon në det, Shqipëria përbëhet vetëm nga patrulla në det të hapur ku llogariten gjithsej 19 anije patrulluese. Shifrat konfirmojnë se jemi të fundit për aeroplanmbajtës, për nëndetëset dhe për luftë ndaj minave. Në vija të përgjithshme sa i përket artilerisë themi se artileria për Shqipërinë nuk është pika më e fortë e saj, por ajo shfaq performancë pozitive përsa i përket anijeve, porteve kryesore, vijës bregdetare dhe konsumin e naftës.

Në një shtrirje gjeografike më të gjerë, nëse do të krahasonim Shqipërinë në nivel rajonal themi se ajo gëzon vendin e dytë pas Serbisë, e cila pozicionohet në vend të 56-të. Më pas ndjekin Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut në vend të 116-të dhe 110-të respektivisht, duke shfaqur kështu një përmirësim të ndjeshëm krahasimisht me një vit më parë. Ndërsa si vendet me fuqi ushtarake më të dobët janë vlerësuar Bosnje Hercegovina dhe Kosova të cilat renditen mes 10 dhe 12 vendeve të fundit në botë. Në përfundim të analizës shifrat cilësojnë si shtetet me fuqi ushtarake të përsosur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas në vendin e dytë dhe të tretë pozicionohen Rusia dhe Kina.

Klikoni këtu për raportin plotë

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Gjeografia e turistëve të huaj gjatë vitit 2023/ Erdhën rreth 10.1 milionë të huaj, pjesa më e madhe nga Europa Jugore dhe Perëndimore

Postimi mëparshëm

Në Shqipëri, 1 në 4 të rinj ndjek një kurs online/ Eurostat: Renditemi poshtë mesatares së Bashkimit Europian

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.