Standartet e jetesës në Ballkanin Perëndimor janë shumë prapa atyre në Bashkimin Europian. Këtë tregojnë të dhënat e “Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim” në publikimin më të fundit me titull “A mund të shkojë Ballkani Perëndimor drejt standardeve të jetesës në BE?” Sipas raportit, për të arritur plotësisht standardet mesatare të jetesës në BE do të duhen të paktën disa dekada, dhe ndoshta 70 vjet ose më shumë. Sipas skenarit më optimist, mund të duhen dy ose tre dekada. Në publikim thuhet se të gjashtë vendet e Ballkanit kanë një Produkt të Brendshëm Bruto për frymë që është shumë më pak se mesatarja e BE-së. Këtë e vërtetojnë edhe të dhënat më të fundit të analizuara nga “Scan Intel”. Sipas të dhënave të EUROSTAT, në vitin 2022, PBB-ja për frymë e shprehur në standartin e fuqisë blerëse në Shqipëri ishte sa 34% e mesatares europiane. Edhe në vendet e rajonit ky tregues duket ndjeshëm më i ulët se në vendet e BE-së.
Problemi themelor që thekson raporti i bankës është produktiviteti i ulët, institucione jo të forta, demografia gjithmonë e në rënie dhe një mjedis i vështirë biznesi. “Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim” në publikim thotë se reformat mund të bëjnë një ndryshim dhe se duhet bërë shumë për të patur një ekonomi më të qëndrueshme dhe më funksionale.
Por çfarë reformash duhet të ndjekin vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë sa më shpejt e Bashkimit Europian? Çdo vit ekonomistët e Bankës Europiane vlerësojnë të dhënat dhe informacionet për të matur progresin e secilit vend nëse kanë lëvizur drejt ekonomive të tregut që funksionojnë mirë dhe janë më të qëndrueshme. Progresi i secilit vend matet sipas gjashtë cilësive që duhet të ketë një ekonomi tregu, pra të jetë konkurruese, e qeverisur mirë, e gjelbër, gjithëpërfshirëse, elastike dhe e integruar. Këto cilësi vlerësohen me pikë nga 1 deri në 10, ku 1 do të thotë vlerësim i dobët dhe 10 do të thotë vlerësim shumë i mirë. Raporti tregon se Ballkani perëndimor po lëviz ngadalë në këtë drejtim. Notat mesatare të rajonit variojnë nga 4,79 deri në 5,46 sa i përket pikave që lidhen me konkurencën dhe integrimin, pra shumë poshtë vendeve europiane.
Sipas të dhënave nga publikimi, boshllëqet janë veçanërisht të mëdha në fushat e qeverisjes, gjelbërimit dhe elasticitetit. Pra, në këto fusha duhet edhe puna më e madhe apo reformat të cilat mund ta afrojnë Ballkanin Perëndimor më afër Bashkimit Europian.
Një problem tjetër që raporti vë në dukje është trendi demografik, sidomos në Shqipëri. Shkalla e ndryshimit natyror të popullsisë është dukshëm më e ulët në rajon sesa në shumicën e vendeve europiane dhe kjo kontribuon në tkurrjen e popullsisë së aftë për punë.
Klikoni këtu për raportin plotë
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments