Raporte

Instituti i Vienës për ekonominë shqiptare/ Projeksionet, të njëjta me edicionin e vjeshtës. Ekonomia pritet të rritet me 3.6% këtë vit

0

“Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare” ka publikuar raportin më të fundit me projeksionet e dimrit për vitin 2024 duke e lënë të pandryshuar normën e rritjes ekonomike për vitin aktual, krahasuar me projeksionet e vjeshtës të publikuara në muajin Tetor të vitit 2023. Referuar të dhënave të buletinit të fundit, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë do të zgjerohet me 3.6% këtë vit. Nga ana tjetër, sipas raportit, për vitin 2025 të dhënat vijojnë një trajektore pozitive duke parashikuar një rritje prej 3.7%. Inflacioni parashikohet të jetë në nivele të kënaqshme gjatë vitit 2024, pranë një norme prej 3%. Përsa i përket normës së papunësisë themi se edhe ky tregues do të ndjekë një kurbë rënëse dhe pritet që në vitin 2024 të jetë 9.5% nga 10% që ishte në vitin 2023.

Sipas raportit, përshpejtimi i pritshëm i rritjes rajonale varet nga përmirësimi i kushteve ekonomike, të cilat deri më tani kanë qenë të ndikuara nga një sërë faktorësh globalë si pandemia, konfliktet dhe kushtet mjedisore. Ekonomia botërore përgjithësisht u ndikua nga pasiguritë politike në mbarë botën, goditje të shumta që lindin nga konfliktet dhe ndryshimet klimatike që bënë kërdinë kryesisht në jetët dhe mjetet e jetesës së miliona njerëzve, më tej duke rrezikuar progresin drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Por çfarë thonë shifrat përsa i përket projeksioneve në nivel rajonal? Sipas të dhënave të raportit për projeksionet e rritjes ekonomike në vendet e rajonit, Shqipëria pritet të ketë rritjen ekonomike më të lartë, pas Malit të Zi. Ekonomia në Malin e Zi pritet të zgjerohet me 4%, ndërsa ekonomia e vendit tonë pritet të ketë një zgjerim me 3.6%. Nga ana tjetër, ekonomia e Kosovës pritet të zgjerohet me 3.5% në vitin 2024. Në vendet e tjera të rajonit si Bosnje Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia pritet që kjo rritje të jetë me 2%, 2.2% dhe 2.4% përkatësisht.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat edhe për pritshmëritë që lidhen me normën e inflacionit dhe atë të papunësisë për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Parashikimet që lidhen me këtë tregues për Malin e Zi, Serbinë dhe Kosovën tregojnë se në këto vende pritet të kenë rritje të normës së inflacionit, ku ky zgjerim parashikohet të jetë përkatësisht me 5%, 4.5% dhe 4%, ndërsa Shqipëria pritet të ketë një nivel optimal të normës së inflacionit, pra 3% në vitin 2024. Kujtojmë që norma e inflacionit në vitin 2023 përllogaritej në 4.8%.

Sipas “Institutit të Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare” norma e papunësisë në Shqipëri pritet të jetë 0.5% më e ulët se në vitin 2023, pasi  parashikimet thonë se kjo  normë do të jetë 9.5%. Në të gjitha vendet e rajonit përveç Serbisë kjo normë do të luhatet nga 10% në 13.2%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

E ardhmja e makinave në “duart” e Audit? Rreth 94.1% më shumë makina të regjistruara për herë të parë në T4-2023

Postimi mëparshëm

Besimi në ekonomi e nis vitin në “zbritje”/ Konsumatorët, më pesimistë për ekonominë gjatë muajit Janar

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.