Raporte

Zhvillimi njerëzor, Shqipëria e 74-ta/ UNDP: Në 32 vite vlera e indeksit u rrit me 21.6%, por jemi më keq se një vit më parë

0

Vlera e “Indeksit të Zhvillimit Njerëzor” për Shqipërinë në vitin 2022 është 0.789, vlerë që e pozicionon vendin në kategorinë e lartë të zhvillimit human, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 74-t nga 193 shtete dhe territore. Këtë tregojnë të dhënat më të fundit nga “Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim”. Sipas raportit, i cili ka analizuar ecurinë e vendit tonë nga viti 1990 deri në vitin 2022, vlera Indeksit të Zhvillimit Njerzor është rritur nga 0.649 në 0.789, që përkthehet në një rritje prej 21.6%. Megjithatë, në harkun kohor të një viti duket se vendi ynë është përkeqësuar si në renditje, ashtu edhe në pikëzim.

Theksojmë se ky indeks është një njësi matëse që shërben për të vlerësuar arritjet mesatare në tre dimensione bazë të zhvillimit njerzor. Këto dimensione lidhen me jetën e gjatë dhe të shëndetshme, akses në njohuri dhe standard i denjë jetese. Sipas raportit, Shqipëria renditet në kategorinë e lartë të zhvillimit njerzor.

Rikujtojmë se Shqipëria renditej në vend të 65-të, nga 133 vende në total, në “Indeksin Global të Njohurive” për vitin 2023 dhe vlerësohet me 47.1 pikë. Krahasuar me vitin 2022, duket se Shqipëria është përmirësuar jo vetëm në renditje por edhe në vlerësimin me pikë. Në këtë raport të publikuar po nga “Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim” thuhet se vendi ynë është një performues i moderuar për sa i përket infrastrukturës së saj të njohurive, por një aspekt pozitiv është renditja në vend të 8-të nga 28 vendet me zhvillim të lartë njerzor, ndërkohë që një vit më parë ishte e renditur në vend të 20 nga 28-të vendet me zhvillim të lartë (shiko këtu).

Nga ana tjetër, në “Raportin e Zhvillimit Njerëzor 2023/24”, të titulluar “Gjetja e rrugëdaljes nga bllokimi: Rikonceptimi i bashkëpunimit në një botë të polarizuar”, analizohet edhe Indeksi i Pabarazisë Njerzore. Në këtë indeks Shqipëria renditet në vend të 34-t nga 166 vende në total të analizuara në vitin 2022.

Krahasuar me rajonin shohim se Shqipëria ka lënë pas vetëm Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që më mirë në këtë indeks renditet Mali i Zi dhe Serbia.

Në raport thuhet se zgjerimi i hendekut të zhvillimit njerëzor që konstatohet në nivel global tregon se tendenca e uljes së qëndrueshme të pabarazive ndërmjet kombeve të pasura dhe të varfra, e cila ekzistonte prej dy dekadash, tashmë ka ndryshuar drejtim. Pavarësisht faktit se shoqëritë tona janë thellësisht të ndërlidhura në nivel global, jemi duke dështuar në arritjen e objektivave.

Klikoni këtu për raportin plotë

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Projeksionet e obezitetit në Shqipëri/ Në 2035-ën pritet të ketë më pak fëmijë të prekur nga obeziteti në vendin tonë se në Serbi dhe Bosnje Hercegovinë

Postimi mëparshëm

Rreth 45% e popullsisë, në rrezik varfërie/ Eurostat: Shqipëria, e para në Europë, por shënon përmirësim nga viti i kaluar

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.