Financë

Sa lekë planifikon të na japë qeveria? Shifrat e buxhetit 2024, rreth 266 mijë lekë në vit ose 22 mijë lekë në muaj

0

Buxheti i vitit 2024 parashikohet të ketë në total për të shpenzuar për vitin që vjen në rreth 735.9 miliardë lekë, ose e thënë ndryshe rreth 30.2% të PBB-së. Këto shpenzime do të ndahen sipas zërave, ku më konkretisht shpenzimet totale për pagat në administratën publike janë planifikuar në masën 119.7 miliardë lekë, shpenzimet për interesa janë planifikuar në 66.2 miliardë lekë, shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore janë në masën 63.2 miliardë lekë dhe shpenzimet e pushtetit vendor parashikohen në 71,1 miliardë lekë. Nga ana tjetër, kemi shpenzimet e fondeve sociale, shpenzimet për subvencione dhe investimet publike, ku këto të fundit do të jenë në masën 128.5 miliardë lekë.

‘Scan Intel’ edhe për këtë vit ka analizuar buxhetin për vitin e ardhshëm duke u ndalur te shpenzimet e planifikuara për vitin 2024 për të sjellë një panoramë tjetër dhe për të kuptuar se sa para do t’i kthehen qytetarëve. Nga një përllogaritje e thjeshtë nisur nga totali i shpenzimeve në 735.9 miliardë lekë dhe nga numri i popullsisë referuar të dhënave të INSTAT, dalim në përfundimin se këto shpenzime përkthehen në afërsisht 266 mijë lekë për frymë në vit. E përkthyer në euro me kursin aktual të këmbimit kjo vlerë arrin në 2,555 euro në vit. Në muaj këto shpenzime për frymë janë rreth 22 mijë lekë ose 212 euro. Pra, e thënë ndryshe, kaq parashikon qeveria shqiptare të shpenzojë për person në vitin e ardhshëm.

Por sa na ka dhënë qeveria shqiptare për vitin 2023 deri më tani në formën e shpenzimeve? Sipas të dhënave të “Ministrisë së Financave”, sa i përket performancës paraprake 9-mujore të të ardhurave dhe shpenzimeve, shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën nëntë mujore të vitit 2023 arritën në rreth 425.65 miliardë lekë. E përkthyer për frymë këto shpenzime janë rreth 154 mijë lekë në vit ose 17 mijë lekë në muaj.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Talentet, Shqipëria bën hapa para/ Indeksi global: Renditemi në vend të 56-të nga 134 shtete në total

Postimi mëparshëm

Raporti pedagog-student, 1 me 26/ Në arsimin privat treguesi është më i ulët për vitin akademik 2022-23

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.