Konsumatori

Shqiptarët, “mishngrënësit” e Europës/ Konsumi i mishit, sa 6% e PBB-së. 1 miliard euro në vit, ose 387 euro për frymë

0

Në Shqipëri konsumi i mishit përfaqëson plot 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sinjalizojnë shifrat më të fundit nga Eurostat, të analizuara dhe përpunuara nga `Scan Intel`. Kjo normë e vendos vendin tonë në vend të parë të padiskutueshëm dhe pa rivalë të tjerë në Europë. Mesatarja e Bashkimit Europian sa i përket peshës që përfaqëson konsumi i mishit në raport me ekonominë fiksohet pranë vetëm 1.5%. Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi, pra dy vende të rajonit janë dy ndjekëset më të afërta të Shqipërisë në këtë indikator, me një normë pranë 5.1%. Në nivel Europian, Irlanda me 0.4% dhe Luksemburgu me 0.4% renditen në vend të fundit në kontinentin e vjetër.

Sipas Agjencisë Europiane të Statistikave në një vit shqiptarët konsumojnë rreth 1 miliard euro mish. Kjo shifër është më e lartë se mishi që konsumojnë në një vit qytetarët e Islandës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi të marrë së bashku. Nga ana tjetër kujtojmë se, të dhëna të ngjashme nga Eurostat tregonin se mishi përfaqëson thuajse 1/5-tën e shpenzimeve të një shqiptari për ushqim në muaj.

Por, ndërkohë që në raport me ekonominë, konsumi i mishit në vendin tonë zë 6% të saj, sa mish konsumojnë realisht shqiptarët? Po sipas Eurostat, mbi të dhënat e vitit 2022, një shqiptar shpenzon për frymë rreth 387 euro në vit, ose rreth 32 euro në muaj. Në rast se do të bënim një përllogaritje të thjeshtë, bazuar në numrin mesatar të anëtareve të një familje në vendin tonë, atëherë rezulton se mesatarisht një familje shqiptare konsumon rreth 1431 euro mish në vit, ose rreth 119 euro në muaj.

Ndërkohë që një shqiptar mesatar konsumon rreth 387 euro në vit për mish, një europian mesatar konsumon rreth 543 euro. Por kjo diferencë vjen kryesisht për shkak të ndryshimit të çmimeve, pasi në Shqipëri mishi kushton mesatarisht sa 73.4% e çmimeve në Bashkimin Europian. Pavarësisht diferencës së çmimeve, një shqiptar konsumion më shumë mish në vit se një bullgar apo polak, ndërkohë që në rajon jemi të dytët, vetëm pas Malit të Zi. Gjithsesi, në rast se do ta zhvishnim nga diferenca e çmimeve, një shqiptar rezulton se konsumon mish në sasi në vit thuajse njësoj sa një europian.

Pra, shqiptarët duket se janë “mishngrënësit” e Europës, pasi edhe pse në sasi konsumojnë thuajse njësoj me mesataren e 27 vendeve të unionit, ky konsum përfaqëson 6% të asaj që ekonomia prodhon në një vit, si asnjë vend tjetër europian.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Azilkërkuesit shqiptarë bien me 22.5%/ Në Prill vetëm 713 aplikime, por vijojmë të kryesojmë rajonin

Postimi mëparshëm

Çmimet e ushqimeve, si ndryshojnë me Europën? Bulmeti, vaji dhe pijet joalkolike më të shtrenjta se mesatarja e BE-së, frutat më të lirat

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.