Konsumatori

Sa dhe si shpenzojmë për ushqime në muaj? 167 euro për person. “Të fiksuar” me fruta-perime, mish, bulmet, ndryshe nga europianët

0

Ushqimi zë thuajse 40% të buxhetit të një familje shqiptare dhe është i barabartë me rreth 31% të asaj që prodhon ekonomia në një vit. Por, sa kushton dhe çfarë karakteristikash ka shporta ushqimore e një shqiptari sot? Eurostat në të dhënat më të fundit mbi konsumin e familjeve në Europë jep një panoramë të përgjithshme mbi këtë. “Scan Intel” i ka analizuar dhe përpunuar shifrat për t`i dhënë përgjigje pikërisht kësaj pyetje.

Mesatarisht, një shqiptar shpenzon në vit rreth 2002 euro ushqime. Në një muaj kjo shifër përkthehet në rreth 167 euro dhe për familje në rreth 620 euro në muaj. Bazuar në të dhënat më të fundit mbi pagën mesatare në Shqipëri, prej rreth 53 mijë lekësh në muaj neto, atëherë, duhet 1 pagë e plotë dhe një e treta e një page tjetër në familje për të mbuluar shpenzimet mujore për ushqim.

Për të pasur një shportë dhe listë shpenzimesh më të qartë për ushqim të një shqiptari, shifrat e Eurostat po i ilustrojmë në vlera mujore.

Kështu, nga kjo përllogaritje rezulton se zëri me më shumë peshë në shpenzimet e një shqiptari apo familje shqiptare në muaj për ushqim është ai i fruta-perimeve. Për konsumin e këtyre të fundit Shqipëria rezultonte gjithashtu vendi i dytë në Europë për shpenzim në vlerë dhe i pari në Europë për konsum në sasi (shiko këtu). Për fruta-perime një shqiptar shpenzon mesatarisht rreth 64 euro në muaj. Ky shpenzim përfaqëson 38% të totalit të 166.8 eurove që është buxheti personal mujor për ushqim. Pra, më shumë se një e treta e buxhetit për ushqim shkon për fruta-perime. Në vend të dytë ndjek mishi, me 19% të totalit, ose rreth 32 euro në muaj. Bulmeti ndjek në vend të tretë, me rreth 16%, ose 27 euro në muaj. Këto tre produkte, pra fruta-perime, mish dhe bulmet përfaqësojnë thuajse ¾-tën e buxhetit tonë mujor për ushqime, sipas të dhënave të Eurostat mbi konsumin. Më pas në renditje ndjek “buka dhe drithërat”, me rreth 14% të totalit, çka do të thotë se 1 në 7 lekë që shpenzojmë për ushqim, në fakt është bukë. Me 5% të buxhetit mujor për ushqim ndjekin “vaji dhe yndyrnat”. Renditjen e mbyll peshku, me vetëm 6 euro për frymë në muaj, ose 3.6% të totalit.

Por ku ndryshon shporta ushqimore mujore e një europiani me atë të një shqiptari? Në vendet e Bashkimit Europian, shpenzimi më i lartë mujor, me 23.2% të totalit është për mishin, dhe në vend të dytë ndjekin fruta-perimet, me 22.8% të totalit. Edhe vendi i tretë dhe i katërt kanë një shkëmbim pozicionesh krahasuar me Shqipërinë, pasi europianët shpenzojnë më shumë për bukë sesa për produkte bulmeti. Për vaj dhe yndryna dedikojnë më pak buxhet se ne, ndërsa për peshk, thuajse dyfishin e shqiptarëve. Nga shifrat vihet re se tryeza e europianëve është më e larmishme se e shqiptarëve pasi e kanë më të diversifikuar. Nga ana tjetër, diferencat në shpenzim mes një shqiptari dhe një europani për t`u ushqyer nuk janë aspak të mëdha, pasi ndërkohë që një shqiptar shpenzon rreth 2 mijë euro në vit për ushqime, një europian shpenzon rreth 2300 euro.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Barazia gjinore, Shqipëria ndër të parat në botë/ WEF: Renditet e 17-ta në glob dhe e para për hendekun në paga

Postimi mëparshëm

Investimet e huaja vijojnë me rekord/ 308 milionë euro në Janar-Mars, kryesojnë Holanda dhe Italia

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.