Konsumatori

Një shqiptar konsumon 2.4 herë më pak se një italian/ Indeksi i konsumit individual, jemi të fundit në rajon dhe Europë

0

Të dhënat më të fundit të Agjencisë Europiane të Statistikave, për vitin 2022, tregojnë se, një shqiptar mesatar konsumon sa 41% e një qytetari europian. Vitin pararendës, në vitin 2021, kjo normë fiksohej në 39%. Kështu, Shqipëria vijon të jetë sërish vendi i fundit në Europë në këtë drejtim. Madje, mund të themi se paraqitet më keq edhe se disa vende të rajonit. Edhe pse renditemi në fund të vendeve të Europës, duket se Shqipëria e ka ngushtuar me 2 pikë përqindje hendekun me Europën sa i përket një prej indikatorëve më të rëndësishëm të mirëqënies, pra konsumit.

Në vitin 2022, nivelet e konsumit aktual individual në BE treguan dallime të konsiderueshme. E përdorur si masë e mirëqenies materiale të familjeve, konsumi individual për frymë i shprehur në standartete e fuqisë blerëse varionte nga 41% në 138% të mesatares së BE-së. Të dhënat tregojnë se konsumi aktual për frymë në vendin tonë është 2.4 herë më i vogël se ai i një europiani mesatar, një italiani ose një francezi përshembull. Konsumi aktual individual është ndoshta indikatori më i saktë i mirëqënies, pasi shprehet në standardin e fuqisë blerëse, pra i standardizuar sipas nivelit të secilit vend.

Ashtu si në vitet e mëparshme, Luksemburgu regjistroi nivelin më të lartë të konsumit individual për frymë në BE me 38% mbi mesataren, e ndjekur nga Norvegjia me 27% mbi mesataren dhe Islanda e Austria me 19% dhe 18% mbi mesataren. Në vitin 2022, 12 vende të Europës regjistruan një konsum për frymë mbi mesataren e BE-së.

Por si paraqitet kosumi i një shqiptari, krahasuar me atë të një qytetari nga Luksemburgu? Krahasuar me vende si Luksemburgu, një shqiptar konsumon thuajse 3.3 herë më pak, mesatarisht.

Në nivel rajoni, në vend të fundit ndërkohë qëndron Shqipëria bashkë me Bosnje Hercegovinën me të njejtin nivel konsumi. Malazezët duket të jenë ata që jetojnë më mirë në rajon, me konsumin individual sa 63% e një europiani mesatar. Ndërkohë, Serbia dhe Maqedonia e Veriut e kanë këtë tregues sa 53% dhe 50% e një europiani mesatar.

‘Scan Intel’ ka analizuar edhe një tregues tjetër i cili lidhet me Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë në vendet e Europës, por edhe të rajonit. Shqipëria renditet në vend të fundit edhe për këtë tregues. Në vitin 2022, PBB-ja për frymë e shprehur në standartin e fuqisë blerëse në Shqipëri është sa 34% e mesatares europiane.

Luksemburgu dhe Irlanda shënuan nivelin më të lartë të PBB-së për frymë të shprehur në standartin e fuqisë blerëse, në 156% dhe 135% mbi mesataren e BE-së.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa na “vjedh” dashuria nga paga? Kostot për Shën Valentin marrin mesatarisht 40% të rrogës mujore

Postimi mëparshëm

Investimet Amerikane në Shqipëri/ Në vitin 2023 vlera e tyre ishte 3 herë më e lartë se në vitin 2019-të

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.