Konsumatori

Shpenzimet e familjeve u rritën me 4.5%/ Ndikimin më të lartë për vitin 2022 e patën shpenzimet për restorante dhe hotele

0

Një familje shqiptare e përbërë mesatarisht nga 3.7 persona, ka shpenzuar gjatë vitit 2022 mesatarisht 88,367 lekë në muaj, ndërkohë që një vit më parë, pra në vitin 2021 shpenzimet për një familje shqiptare ishin në vlerën 84,548 lekë në muaj. Pra, rezulton së këtë vit shpenzimet mesatare mujore janë 4.5% më të larta. Analiza e këtyre të dhënave u mbështet edhe në tipin e familjeve shqiptare ku një person i vetëm shpenzon 2.96 lekë më shumë për ushqime sesa shpenzon një familje shqiptare që përbëhet nga tre të rritur me fëmijë dhe 4.8 lekë më shumë se një familje me dy të rritur me fëmijë.

“Scan Intel” ka përpunuar të dhënat e “ Institutit të Statistikave” nga Anketa e Buxhetit të Familjes për vitin 2022 për të analizuar kështu edhe shpërndarjen e këtyre shpenzimeve, ku rezulton se peshën më të madhe e zënë shpenzimet që i përkasin grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 35,083 lekë, të cilat përbëjnë përkatësisht 39.7% të buxhetin familjar. Krahasauar me një vit më parë pesha për këtë zë ka rënë me 1.6 pikë përqindje, por shpenzimet në vlerë janë rritur me 149 lekë. Nëngrupet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë: “mish dhe nënprodukte” me 18.9%, “bukë dhe drithëra ” me 16.9% ndjekur nga “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” me 12.9%.

Ndërkohë grupi i shpenzimeve për banesën, që përfshijnë shpenzimet për ujë, energji dhe qira arrijnë vlerën 8,640 lekë në muaj, ndërkohë që një vit më parë familjet shqiptare shpenzonin 8,496 lekë në muaj, duke konstatuar kështu një rritje me 144 lekë në muaj për vitin 2022. Pesha që ka ky grup në shpenzimet e familjeve për vitin 2022 është 9.8%

Përsa i përket zërit të shpenzimeve “Restorante dhe hotele”, i cili zë 7.3% të buxhetit gjithsej arrin një vlerë mesatare mujore prej 6,448 lekë për të cilin konstatohet një rritje prej 37,5 %” gjatë vitit 2022 e cila ka ardhur si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për shërbime akomodimi.

Një tjetër zë i shpenzimeve, ai i “Transportit “ ka pësuar rritje prej 15.7%, krahasuar me 1 vit më parë , rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për karburante, shpenzime për bileta ditore /mujore për transportin lokal etj.

Ashtu si në vitin paraardhës, në vitin 2022 peshën më të ulët të shpenzimeve e zënë zërat si “Argëtimi e Kultura” dhe “Arsimi” respektivisht me 2.7% dhe 3.5%. Nga analiza e të dhënave shohim se shpenzimet për pije alkolike dhe duhan zënë një peshë më të madhe se argëtimi e kultura, me 4.2%.

Shpenzimet në grupin “Pije alkoolike dhe duhan” kanë shënuar një rritje prej 14.0%, krahasuar me vitin e kaluar, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupin “duhan” me 16.1%”, ku dhe brenda grupit “duhani” zë një peshë prej 64.2%.

Gjithashtu “Scan Intel” ka analizuar shpërndarjen e këtyre shpenzimeve edhe sipas qarqeve, ku në vitin 2022, qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Një familje shqiptare në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 104,426 lekë në muaj, ndjekur nga Korça me 85,398 lekë dhe Durrësi me 83,473 lekë në muaj. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Dibrës me 72,724 dhe i Kukësit me 73,099 lekë në muaj. Referuar të dhënave rritjen më të lartë të shpenzimeve e ka shënaur qarku i Beratit me 7%, pasuar nga qarku i Gjirokastrës me 6% dhe ai i Lezhës me 5.6%. Ndërkohë, shpenzimet mesatare mujore në qarkun e Tiranës janë rritur 5%. Qarqet që kanë regjistruar rritjen më të ulët të shpenzimeve janë Korça, Dibra, Kukësi dhe Elbasani.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rreth 80% e shqiptarëve, pa arsim të lartë/ Eurostat: Renditemi në fund të Europës me normën më të lartë për vitin 2022

Postimi mëparshëm

Më pak lëvizje brenda vendit/ Ranë me 18% në vitin 2022. Martesa i shpërngul femrat gati dy herë më shumë se meshkujt

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.