Konsumatori

Konsumi i fruta-perimeve, jemi të parët në Europë/ 767 euro për frymë në vit, dy herë më shumë se një europian në sasi

0

Shqiptarët janë të dytët në Europë sa i përket konsumit dhe shpenzimit vjetor për fruta-perime. Sipas Eurostat, mesatarisht në vit një shqiptar shpenzon 767 euro për konsumin e fruta-perimeve. Kjo vlerë është e dyta më e lartë në kontinentin e vjetër, vetëm pas Zvicrës, qytetarët e së cilës konsumojnë 983 euro në vit produkte të tilla. Ndërkohë, mesatarja e Bashkimit Europian fiksohet pranë 533 eurove. Kjo do të thotë se mesatarisht, shqiptarët konsumojnë 44% më shumë fruta-perime se një europian mesatar, në vlerë, jo në sasi.

Nëse krahasimin e bëjmë me mesataren e vendeve kandidate, hendeku thellohet edhe më tej. Në vendet kandidate, qyterarët konsumojnë në vit mesatarisht rreth 380 euro fruta-perime, që do të thotë se në Shqipëri konsumohet dy herë më shumë, në vlerë, jo në sasi.

Në sasi ndërkohë, situata ndryshon. Po nga Eurostat, shifrat tregojnë se, fruta-perimet në Shqipëri janë sa 72.4% e mesatares së Bashkimit Europian, pra më të lira se në union. Kjo bën që në sasi të kemi një hendek konsumi të këtyre produkteve me Europën ndjeshëm më të lartë se në vlerë. Madje, do të ishim të parët në Europë, duke tejkaluar edhe Zvicrën, vend në të cilin konsumi në vlerë është më i lartë se në Shqipëri, por çmimet janë 32% mbi mesataren e unionit. Në rast se në Europë çmimet e fruta-perimeve do të ishin sa në Shqipëri, atëherë një europian do të shpenzonte për të njëjtës sasi që konsumon sot, vetëm 385 euro. Kjo do të thotë se ndërkohë që në vlerë ne konsumonim 44% më shumë fruta-perime se një europian mesatar, në sasi konsumojmë 99% më shumë, pra dy herë më shumë. Edhe krahasuar me një zvicerian në sasi duket se konsumojmë rreth 40% më shumë fruta-perime, po të kemi parasysh diferencën e ndjeshme të cmimeve mes dy vendeve.

Për t`u rikthyer në Shqipëri ndërkohë, shifra prej 767 euro për frymë konsum fruta perimesh në vit përkthehet në rreth 64 euro në muaj. Mesatarisht një familje shqiptare përbëhet nga 3.7 anëtarë, çka do të thotë se një familje konsumon çdo muaj rreth 237 euro për fruta dhe perime ose rreth 8 euro në ditë. Të paktën këtë sinjalizojnë shifrat më të fundit nga Eurostat, të analizuara dhe përpunuara nga `Scan Intel`.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet, sa 61.3% e mesatares së BE-së/ Vjet u “europianizuam” më shumë në çmime, komunikimi dhe veshjet, më të shtrenjtat

Postimi mëparshëm

Barazia gjinore, Shqipëria ndër të parat në botë/ WEF: Renditet e 17-ta në glob dhe e para për hendekun në paga

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.