Konsumatori

Familjet shpenzuan €2 mld më shumë vjet/ €13.6 mld konsumi i familjeve, por, ekonomia uli varësinë nga familjet

0

Eurostat ka përditësuar shifrat e konsumit final të familjeve në ekonominë e vendeve të europës, përfshirë Shqipërinë. Shifrat më të fundit i referohen kështu vitit 2022 dhe tregojnë se varësia e ekonomisë shqiptare ndaj konsumatorit familjar ka prekur nivelin më të ulët historik, pranë 75.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por, pavarësisht kësaj rënie, Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet e para në Europë, më saktë në vend të dytë, vetëm pas Kosovës, me normën pranë 85.9%. Mesatarja e Bashkimit Europian ndërkohë fiksohet në vetëm 52,3%. Nga ajo që ilustrojnë shifrat e analizuara nga `Scan Intel` duket qartë se ¾ e ekonomisë shqiptare është e varur nga konsumatori familjar. Konsumi final i familjeve dhe organizatave jo-fitimporurëse që i`u shërbejnë familjeve është një indikator që përfshin çdo mall dhe shërbim të shpenzuar direkt për përmbushjen e nevojave individuale dhe familjare të popullatës, duke përfshirë nga ushqimet e deri të restorantet dhe hotelet.

Vendet e tjera të rajonit, veç Shqipërisë dhe Kosovës që mbajnë dy vendet e para, regjistrojnë një normë më të ulët, mes 67% dhe 70%. Nga ana tjetër, në të gjithë kontinentin, vendet me normën më të ulët të konsumit familjar mbi ekonominë janë: Irlanda, me vetëm 22.8% peshë, Luksemburgu me 30.4% dhe Danimarka me 42.8%, çka tregon qartë se vendet më të zhvilluara kanë tendencën të kenë një normë më të ulët.

Në vitet e fundit Shqipëria ka bërë progres gradual në këtë drejtim. Në vitin 2011, kur nis edhe seria e këtyre të dhënave, norma fiksohej pranë 78%, ndërkohë që kulmin e ka arritur në vitin 2016, me 81%.

Në rast se shifrat do t`i shihnim në absolut, pra në vlerë, kuptojmë se familjet shqiptare shpenzuan rreth 13.6 miliardë euro në vitin 2022, nga 11.6 miliardë euro në vitin 2021, pra në rritje me rreth 2 miliardë euro, çka është rrjedhojë jo vetëm e zgjerimit ekonomik, por edhe e inflacionit të lartë. Kjo tendencë në rritje vihet re absolutisht në të gjitha vendet e Europës gjatë vitit të kaluar, duke qenë se inflacioni ka qenë një fenomen i përhapur në çdo cep të globit. Në Bashkimin Europian, konsumi mesatarisht në vlerë është rritur me rreth 12% gjatë vitit të kaluar, ndërsa në Shqipëri me rreth 17%, sinjalizojnë shifrat e Eurostat, të analizuara nga `Scan Intel`.

Në vitin 2011 konsumi final i familjeve në vendin tonë fiksohej pranë rreth 7.2 miliardë eurove, çka tregon se në harkun e pak më shumë se një dekde, familjet kanë rritur shpenzimet e tyre me rreth 5.4 miliardë euro.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Garuesit e 14 majit, mosha mesatare në 49 vjeç/ PD, subjekti më i “plakur”, ndiqet nga “Bashkë Fitojmë”. PS, subjekti me kandidatët më të rinj, 47.6 vjeç

Postimi mëparshëm

Logjistika tregtare, Shqipëria e 97-ta në botë/ Banka Botërore: Vlerësohemi me 2.5 pikë nga 5 në total, pozicionohemi më keq se vendet e rajonit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.