EkonomiKonsumatori

Shpenzimet, Shqipëri vs Europë/ Për ushqim shpenzojmë 41% të të ardhurave, 3 herë më shumë se europianët

0

Familjet shqiptare mbajnë rekord në Europë sa i përket peshës që zënë ushqimet dhe pijet jo alkolike në shpenzimet e tyre, por janë të fundit për shpenzimet në argëtim dhe kulturë. “Scan Intel” ka kryer një analizë, duke krahasuar përbërjen e shpenzimeve familjare në Bashkimin Europian dhe Shqipëri sipas qëllimit të konsumit referuar kryqëzimit të të dhënave të “Institutit të Statistikave” dhe të “Agjencisë Europiane të Statistikave”. Referuar shifrave të vitit 2021 familjet shqiptare shpenzojnë shumë herë më shumë për ushqime se ato europiane. Kështu, për vitin 2021 rezulton se familjet shqiptare kanë shpenzuar 34,934 lekë për grupin e konsumit “Ushqim dhe pije jo-alkoolike”. Ky zë është shpenzimi më i madh i familjeve shqiptare, duke zënë edhe 41.3% të peshës përgjatë këtij viti. Nëse do të shihnim të dhënat për Bashkimin Europian, grupi “Ushqim dhe pije jo-alkoolike” zë 14,3% të shpenzimeve gjithsej. Nga ana tjetër, ajo që bie në sy është diferenca mes shpenzimeve për banesën, ujin dhe energjinë në Shqipëri dhe Europë. Pesha që zë ky grup në shpenzimet e familjeve shqiptare është 10%, ndërkohë mesatarja e Bashkimit Europian është 25%. Po ashtu, diferenca të ndjeshme ndihen edhe te grupi “Transporti”, ku në Shqipëri zë një peshë prej 6.3%, ndërkohë që në Bashkimin Europian ky tregues është 12.1%. Nga ana tjetër duket se shqiptarët shpenzojnë shumë herë më pak se europianët në argëtim dhe kulturë. Gati 5.2 pikë përqindje është diferenca mes peshës që zë ky grup në shpenzimet e shqiptarëve mes shpenzimeve të vendeve të europës.

“Scan Intel” i ka analizuar më tej grupet e përmendura më lart duke marrë në konsideratë secilin shtet, pra duke kaluar përtej mesatares së Bashkimit Europian, për të parë se si renditet Shqipëria. Sa i përket grupit “Ushqim dhe pije jo-alkoolike” duket se rajoni “udhëheq” Europën me peshën më të lartë kundrejt shpenzimeve në total. Kryeson Shqipëria me 41%, pasuar nga Mali i Zi me 27% dhe Rumania e Turqia me 24.8% dhe 23.4%. Nga shifrat mund të shohim qartë se pavarësisht se Mali i Zi pason vendin tonë në këtë renditje, përsëri është rreth 14 pikë përqindje larg. Po të kalojmë nga ana tjetër e tabelës, pra po të shohim vendet me peshën më të ulët të shpenzimeve për “Ushqim dhe pije jo-alkoolike”, gjejmë Irlandën, Luksemburgun dhe Austrinë me 8.3%, 9% dhe 10.9%.

Le të marrim në analizë grupin “Transporti” dhe të shohim se si qendrojnë shpenzimet e shqiptarëve krahasuar me vendet e tjera të Europës. Shqipëria për këtë grup renditet e dyta nga fundi në Europë me peshën më të ulët në totalin e shpenzimeve me 6.3%, ndërkohë që në vend të fundit renditet Sllovakia me 5.4%. Peshën më të lartë në shpenzimet për grupin “Transporti” e gjejmë në Slloveni me 16,9% dhe në Turqi me 16.2%.

Një grup tjetër ku Shqipëria surprizon është “Argëtimi dhe Kultura”. Për këtë grup Shqipëria renditet në fund të Europës për vitin 2021, me peshë deri në 2,8% kundrejt totalit të shpenzimeve. Nisur nga kjo shifër, mund të themi se shqiparët janë populli i fundit në Europë sa i përket shpenzimeve për “qejf”. Po mes vendeve të fundit gjejmë edhe Malin e Zi, me 9.4%, ndërkohë në vend të parë qëndrojnë Suedia e Norvegjia me 11.5% dhe 11.1%.

Ndër të tjera Shqipëria renditet e fundit për peshën që zënë shpenzimet për banesën, ujin, energjinë elektrike dhe qiranë e paguar. Ky tregues për vitin 2021 ishte 10%, ndërkohë që vendi me shpenzimet më të larta është Sllovakia, me 31.3% dhe Finlanda me 29.8%. Interesante paraqiten të dhënat nëse do të flisnim për peshën që zënë shpenzimet për mobilim dhe pajisje shtëpiake. Shifrat e kryqëzuara tregojnë se Shqipëria për këtë grup renditet mes vendeve të para, me 6.8%, ndërkohë në fund të Europës gjejmë Greqinë dhe Letoninë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bien normat e interesit të kredive/ Edhe për individët, edhe për biznesin, në lekë dhe në euro

Postimi mëparshëm

Inflacioni, me rënie modeste/ Zbret në 7.2% në Janar. Por, ushqimet, 13.3% më të shtrenjta

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.