Shëndetësi

Sa kanë shpenzuar shqiptarët për covid-19? Rreth 280 euro për frymë vetëm për testime, pa përfshirë barnat, kurat dhe shpenzimet ekstra

0

Analizat e tregjeve të ndryshme të kryera nga “Scan Intel” në shumë raste nxjerrin në pah jo vetëm shifra interesante, por ilustrojnë edhe fenomene të caktuara. Pikërisht studimi i fundit i kryer nga “Scan Intel” mbi industrinë e laboratoreve private tregoi se performanca financiare e tyre për periudhën pas pandemisë shprehej në vlera kolosale. Ky punim analizonte bilancet e shtatë laboratorëve mjeksore private si “Intermedica”, “Genius Lab”, “Pegasus”, “Biocheck”, “Noval Diagnostics”, “Cambridge Clinical” dhe “Orion Struga”, të cilët kanë qenë të liçensuara nga Ministria e Shëndetësisë për të kryer testin PCR. Qëllimi i “Scan Intel” ishte të krahasonte të ardhurat dhe fitimet e këtyre kompanive para pandemisë dhe pas pandemisë për të kuptuar se si kanë ndryshuar shifrat. Në përfundim të analizës rezultoi se të ardhurat e dy viteve të pandemisë, pra viti 2020 dhe 2021, për shtatë laboratorët që kanë derdhur të dhëna në QKB llogariten në 6.43 mld lekë ose ndryshe në 55 mln euro, ndërsa të ardhurat për periudhën 2018-2019 regjistroheshin në 1.29 mld lekë (shiko këtu). Diferenca mes dy periudhave regjistrohet në 5.1 mld lekë.

“Scan Intel” nisur nga shifrat e mësipërme ka analizuar faturën e shqiptarëve, të cilë kanë qenë të infektuar me COVID-19, në këto laboratore gjatë periudhës së pandemisë. Të dhënat e “Ministrisë së Shëndetësisë” tregojnë se që nga fillimi i pandemisë janë regjistuar gjithsej 329,541 raste pozitive. Sipas një përllogaritje të thjeshtë duke patur parasysh edhe nivelin e rritjes së të ardhurave për vitet 2020-2021 , por edhe numrin e të infekturave, del se këto laboratore kanë përfituar nga pacientët përafërsisht 132 euro për frymë. Nëse këtij treguesi do t`i referoheshim në lekë rezulton në 15,595 lekë.

Megjithatë duhet të theksojmë se këto nuk kanë qenë të vetmet laboratore private të liçensuara për të kryer testin e PCR gjatë periudhës së pandemisë. Kështu “Scan Intel” është referuar edhe në të dhënat e punimit mbi spitalet private për të patur shifra sa më reale. Nga përpunimi i shifrave del se diferenca e të ardhurave gjatë dy viteteve të pandemisë me dy vitet para pandemisë, 2018, 2019-të, është rreth 5.6 mld lekë. Bashkë me diferencën e të ardhurave të laboratorëve shifra arrin në 10.8 mld lekë shpenzime shtesë gjatë dy viteve të pandemisë. Nga ana tjetër duhet të kemi parasysh se, infektimet reale kanë qenë ndjeshëm më të larta se shifrat zyrtare. Por, duke pasur parasysh edhe faktin se, kushdo që ka kryer analiza mbi covid-19 në spitalet private, dhe sidomos testin PCR, ka hyrë në sistem. Pra, në përfundim mund të themi se, shifra është e përafërt me realitetin. Pra, mesatarisht, shqiptarët kanë shpenzuar nga xhepi i tyre si pasojë e covid-19 rreth 281 euro për frymë, vetëm për diagnostikim dhe deri diku edhe për hospitalizim, pra pa përfshirë në këtë përllogaritje kurat në ilaçe, apo trajtime të tjera me peshë, si kosto e shërbimit të specializuar në shtëpi, apo oksigjeni, etj. Kjo kosto shtesë ka ardhur pavarësisht faktit se sistemi shëndetësor në vend supozohet të jetë falas dhe gjithëpërfshirës. Problematikat që u vunë re që në pandemi, si mungesa e testve PCR, mungesa e kapaciteteve diagnostikuese në spitalet dhe poliklinikat shtetërore, mungesa e kapaciteteve spitalore, kurave, etj, duket se marrin mbështetje edhe nga shifrat, me shpenzime mjaft të mëdha për xhepat e qytetarëve, në një kohë që shpenzimet më të mëdha kanë shkuar për barna.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Kush e mban” shtetin? Pesha e zëravë në të ardhurat buxhetore, TVSH zë 1/3-tën

Postimi mëparshëm

Shërbimet dhe të mirat vijojnë rritjen edhe në T2-2022/ Hotelet dhe agjencitë, “bum” shitjesh, informacioni dhe komunikacioni me rënie

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.