Shëndetësi

Në pandemi më pak shtrime në spital/ INSTAT: Bien vizitat dhe shtrimet, por edhe mbulimi vaksinal

0

Shifrat nga “Instituti i Statistikave” mbi treguesit e shëndetit publik tregojnë se aktiviteti i institucioneve publike të shërbimit spitalor edhe pse me rritje përgjatë vitit 2021, krahasuar me vitin 2020, përsëri nuk ka mundur të tejkalojë shifrat e periudhës së para pandemisë së shkaktuar nga Covid-19. Të dhëna interesante dalin në pah nga ky publikim sa i përket numrit të të shtruarve në institucionet spitalore si dhe numri i ditëve të pacientëve në shtretër. Gjatë vitit 2021 në qendrat spitalore kanë rezultuar të shtruar 244,784 pacientë, duke u rritur me rreth 21% krahasuar me vititn 2020. Nëse këtë tregues do ta krahasonim me vitin 2019-të, numri i të shtruarve në institucione është më i ulët. Gjatë vitit 2019-të ky tregues regjistrohej në rreth 282 mijë. Të dhënat po ashtu tregojnë se mesatarisht viti 2020 dhe 2021 regjistrojnë më pak shtrime dhe vizita në qendrat spitalore sesa viti 2019-të, viti 2018-të dhe viti 2017-të. I njejti ndryshim vërehet edhe me numrin e ditë-shtretërve të realizuar, nga 1.4 mln gjatë vitit 2019-të, në 1.2 mln gjatë vitit 2021. Numri i institucioneve spitalore përgjatë vitit 2021 rezulton në 43, ndërkohë numri i shtretërve po gjatë kësaj periudhe është 8,501 duke pësuar rritje me 2%. Ditët mesatare të qëndrimit në spital nga të sëmurët për vitin 2021 kanë qenë 5.1, ndërsa të sëmurë të operuar gjithsej rezultojnë në 56,622 pacientë.

Në vitin 2021, numri i vizitave gjithsej në shërbimin parësor është 8,144,504, pra mesatarisht 2,9 kontakte për person në vit. Numri i vizitave shihet të ketë shënuar një rritje me 10,8%, krahasuar me numrin e vizitave në vitin 2020. Në institucionet publike të shërbimit spitalor janë kryer 56.622 ndërhyrje kirurgjikale, 22,1 % më shumë, krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se në vitin 2021, kanë operuar 413 qendra shëndetësore të degëzuara në 2.059 ambulanca dhe 46 poliklinika të specializuara.

Shifra jo pak interesante dalin në pah nëse analizojmë mbulimin vaksinal. Gjatë vitit 2021 vihet rë një rënie e mbulimit vaksinal nëse do ta krahasonim me vitet e tjera. Rënie më e theksuar e mbulesës vaksinale vihet re ndaj Difterisë, Tetanozit dhe Pertusit me 2,7 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020.

“Scan Intel” ka analizuar gjithashtu edhe të dhënat mbi konsultorin e fëmijëve dhe atë të gruas. Në vitin 2021, në konsultorin e fëmijëve janë regjistruar 257,054 fëmijë dhe janë kryer 745,746 vizita, mesatarisht 2.9 vizita për fëmijë në vit. Numri i fëmijëve 0-1 vjeç që ushqehen vetëm me gji gjatë vitit 2021 është 19,660, ndërkohë numri i fëmijëve që ushqehen vetëm me ushqim artificial është 4,597, duke pësuar një rritje krahasuar me vitin 2020. Sa i përket numrit të vizitave në konsultonin e gruas, përgjatë vitit 2021, rezultojnë në 224,790, duke pësuar një rritje krahasuar me një vit më parë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ngadalësohet kreditimi/ Pranë nivelit më të ulët në 3 vite, më e theksuar për biznesin, shenja ngadalësimi edhe për individët

Postimi mëparshëm

Rreth 30% më pak mallra në shtator/ Çmimet dobësojnë shifrat e transportit, fluturimet dhe pasagjerët me rritje

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.