Financë

“Kush e mban” shtetin? Pesha e zëravë në të ardhurat buxhetore, TVSH zë 1/3-tën

0

Arka e shtetit gjatë vitit të kaluar ka mbledhur rreth 510 miliardë lekë të ardhura, ose rreth 4.4 miliardë euro në total. Gjatë këtij viti ndërkohë, të paktën për 8 muajt e parë, rritja fiksohet në 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021-shit, çka sinjalizon se sipas të gjitha gjasave ky do të jetë një vit rekord sa i përket parave të mbledhura nga administrata, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së çmimeve. Por, cilat janë zërat që “mbajnë” arkën e shtetit? “Scan Intel” ka analizuar të dhënat zyrtare për të kuptuar se cili nga zërat ka më shumë peshë e cili më pak në mbarëvajtjen e shtetit dhe financave publike.

Nga ky flasifikim sipas zërave kuptojmë se “pjesën e luanit” e zë “Tatimi mbi Vlerën e Shtuar”, pra TVSH neto, ku përfaqësohen edhe tatimet edhe doganat, pra edhe TVSH e brendshme dhe ajo e importit. TVSH përfaqëson kështu plot 31.6% të të ardhurave të shtetit në vit, ose thuajse 1/3 e totalit. Kjo peshë kaq e lartë tregon se mbarëvajtja e qeverisë është mjaft e varur nga konsumi, por edhe nga çmimet, duke qenë se TVSH aplikohet mbi çmimin e një malli apo shërbimi. Në total, gjatë vitit të kaluar, të ardhurat nga TVSH fiksoheshin pranë rreth 161 miliardë lekëve, ose rreth 1.4 miliardë eurove. Në vend të dytë si zë ndjek “Sigurimi shoqëror”, me rreth 95 miliardë lekë, ose 18.6%. Vendin e tretë e zënë “Akcizat”, me 10.1% të totalit, ose rreth 51.6 miliardë lekë.

Renditja vijon më tej me “Taksat nacionale dhe të tjera”, të pozicionuara në vend të 4-tët, me 8.3%, si dhe “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” me 7.7%. “Tatimi mbi Fitimin” ndërkohë zë 7% të totalit, dhe renditet në vend të 6-të. Kujtojmë se “Tatimi mbi Fitimin” paguhet vetëm nga biznesi i madh, pra rreth 16 mijë subjekte përafërsisht. “Taksat lokale” zënë vetëm 3.9%, “Sigurimi Shëndetësor” rreth 2.8%, “Të ardhurat nga institucionet buxhetore” rreth 2.5%, së bashku me të “Ardhurat nga ndihmat”, me të njëjtën peshë. “Taksat doganore” përbëjnë 1.5% të të ardhurave në arkën e shtetit në vit, “Taksa mbi pasurinë” rreth 1.2%, etj me radhë. Ndërkohë, dy vendet e fundit, si zërat kontribues me më pak peshë në buxhet janë “Biznesi i vogël”, me vetëm 0.1% dhe “Dividenti” me zero.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Instat thotë se konsumi është rritur/ Shitjet me pakicë, 6.4% më të larta se vjet, edhe karburantet me rritje

Postimi mëparshëm

Sa kanë shpenzuar shqiptarët për covid-19? Rreth 280 euro për frymë vetëm për testime, pa përfshirë barnat, kurat dhe shpenzimet ekstra

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.