Ekonomi

Shërbimet dhe të mirat vijojnë rritjen edhe në T2-2022/ Hotelet dhe agjencitë, “bum” shitjesh, informacioni dhe komunikacioni me rënie

0

Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” në publikimin mbi statistikat afatshkurtra tregojnë se shërbimet gjatë tremujorit të dytë të vitit paraqiten me rritje pothuaj në të gjithë indekset. Rritjen më të madhe e regjistrojnë hotelet dhe agjencitë e udhëtimit, si në shitje ashtu edhe në numër të punësuarish dhe paga. Kjo rritje në këtë sektor është kryesisht rezultat i sezonit turistik, duke qenë se tremujori i dytë përkon edhe me nisjen e sezonit. Kështu agjencitë e udhëtimit paraqesin një rritje të lartë të shitjeve neto me 94%, e cila është dhe shifra më e lartë për këtë indeks nga të gjitha aktivitetet e marra në analizë. Rritje paraqesin dhe indeksi i numrit të të punësuarve me 43.6% dhe fondi i pagave me 64.9%. Hotelet po ashtu regjistrojnë rritje gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Indeksi i shitjeve në volum për aktivitetin hotele është rritur me 60.1%, ndërsa nga ana tjetër indeksi i numrit të të punësuarve ëshët rrtiur me 29.7%, ndërsa ai i fondit të pagave është rritur me 52.7%. Nga të dhënat vihet re se indeksi i fondit të pagave gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022 është rritur për të gjitha aktivitetet, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Bar-Restorantet po ashtu paraqiten me rritje në të gjithë indekset, ku rritjen më të lartë e ka pësuar në indeksin e pagave me 32.5%. Të vetmit tregues me rënie, sipas shifrave të INSTAT, është indeksi i shitjeve neto në volum për aktivitetin “ Informacion dhe Komunikacion” me 6.2%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021 dhe aktivitetet arkitekturore dhe inxhinierike me 25%.

Instituti i Statistikave ndër të tjera ka publikuar gjithashtu treguesit tremujorë mbi prodhuesit e të mirave për tremujorin e dytë të vitit. Këta tregues sinjalizojnë rritje të indekseve të shitjeve dhe të prodhimit në sektorë të ekonomisë siç janë Industria, Energjia elektrike, Furnizimi me ujë apo Trajtimi dhe menaxhimi i mbetjeve. I vetmi sektor i cili regjistron rënie të indeksit të shitjeve në volum është “Ndërtimi” me 7.3%. Ky sektor ka pësuar rënie edhe në prodhim me 5.1%. Sektori i industrisë, ku përfshihet industria nxjerrëse dhe përpunuese, regjistron rritje të shitjeve në volum me 3.7% dhe rritje të prodhimit në volum me 5%. Sa i përket indeksit të numrit të të punësuarve dhe të fondit të pagave, aktiviteti i industrisë ka pësuar rritje me 3.5% dhe 18.8%.

Nëse do të analizonim aktivitetin “Energji elektrike, gaz dhe avull”, shifrat tregojnë se paraqitet me rritje në të gjtiha indekset ku rritjen më të madhe e regjistron në indeksin e prodhimit në volum me 28.5%. Për sektorin e furnizimit me ujë, dhe trajtimit e menaxhimit të mbetjeve, indeksi i shitjeve neto ka pësuar rritje, me 31.3%, krahasimisht me tremujorin dytë të vitit 2021. Nga ana tjetër, indeksi i prodhimit në volum ka shënuar rritje, me 28.5%. Për këtë aktivitet, indeksi i numrit të të punësuarve është rritur me 3.4% dhe po ashtu indeksi i fondit të pagave, me 9.5%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa kanë shpenzuar shqiptarët për covid-19? Rreth 280 euro për frymë vetëm për testime, pa përfshirë barnat, kurat dhe shpenzimet ekstra

Postimi mëparshëm

Llogarit nivelin e alkolit në gjak/ Manual për drejtuesit e mjeteve, nga niveli i lejuar, krahasimi me Europën e deri te masat ligjore

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.