Tregjet

Laboratoret private, fitime kolosale në pandemi/ Rrisin xhiron me 400% dhe fitimet me 849%. “Genius” kalon “Intermedica”

0

“Scan Intel” vijon me analizën e tregjeve duke u rikthyer këtë herë në një industri shumë interesante, sidomos gjatë pandemisë, atë të laboratoreve mjeksore private. Qasja e analizës së të dhënave nga “Scan Intel” i referohet kornizave të mëparshme të trajtimit të industrive, por këtë herë elementi i shtuar është krahasimi i të ardhuarve dhe i fitimeve gjatë pandemisë dhe para pandemisë duke marrë si njësi kohore një periudhë dy vjeçare. Në studim janë marrë “Intermedica”, “Genius Lab”, “Pegasus”, “Biocheck”, “Noval Diagnostics”, “Cambridge Clinical” dhe “Orion Struga”, por duhet të theksojmë se dy laboratorët e fundit kanë mangësi në bilance pasi janë hapur së fundmi, kështu është e vështirë të llogaritet ndryshimi vjetor. “Scan Intel” gjithashtu ka bërë pjesë të shifrave jo vetëm performancën e laboratoreve më të mëdhenj në vend, por edhe atyre të cilët janë rrjet si dhe janë të liçensuara nga Ministria e Shëndetësisë për të kryer testin PCR. Vlen të përmendim se në analizë nuk janë marrë laboratoret mjekësore të cilët janë pjesë të spitaleve private. Rikujtojmë se “Scan Intel” ka kryer më herët një analizë të performancës së spitaleve private në vend (shiko këtu).

Nisur nga analiza e bilanceve për vitin 2021 shohim se dy laboratorët më të mëdhenj në vend janë “Intermedica” dhe “Genius Lab”. Nëse gjatë vitit 2020 “Intermedica” kryesonte tregun me të ardhurat më të larta, të dhënat për vitin 2021 tregojnë se “Genius Lab” qëndron në krye me 2.07 mld lekë ose e shprehur në valutë rreth 17.6 mln euro. Ky laborator i ka rritur të ardhurat krahasuar me vitin 2020 me 295%. Laboratori i dytë në renditje me vlerën më të lartë të të ardhurave është “Intermedica”, me 1.9 mld lekë, duke u rritur me 92.5% krahasuar me 2020-tën, pasuar nga “Cambridge Clinical” me 244 mln lekë. Në vend të fundit me të ardhurat më të ulta të regjistruara për vitin 2021 gjejmë të renditur “Orion Struga” me 19.1 mln lekë. “Biocheck” llogarit për vitin 2021 të ardhura deri në 264 mln lekë duke u rritur me 326%, ndërsa “Pegasus” i ka të ardhurat në 101 mln lekë dhe janë rritur me 69.2%. Shifrat flasin për një rritje mbi dyfishin e totalit të të ardhurave të laboratoreve mjeksore private. Në total të ardhurat për shtatë laboratoret e marra në analizë, për vitin 2021, regjistrohet në 4.7 mld lekë ose në valutë rreth 40.7 mln euro. Krahasuar me vitin 2020, i cili llogariste total të ardhurash deri në 1.65 mln lekë, gjatë vitit 2021 ky tregues është rritur me 190%.

“Genius Lab” renditet në vend të parë edhe sa përket fitimeve për vitin 2021. Gjatë kësaj periudhe ky laborator ka gjeneruar nivel fitimi deri në 1.1 mld lekë, ose 9.3 milione euro fitime neto, pas taksave, duke u rritur kështu me 409%. I dyti në renditje është “Intermedica” me 590 mln lekë, dhe i ka rritur fitimet krahasuar me vitin 2020 me rreth 119%. “Biocheck” renditet në vend të tretë sa i përket fitimeve, me 64.9 mln lekë dhe me një rritje prej 971%, krahasuar me një vit më parë. I vetmi laborator i cili rezulton me humbje për vitin 2021 është “Orion Struga” me 7.5 mln lekë. Por sa regjistrohet totali i fitimit për vitin 2021? Të dhënat e përpunuara nga “Scan Intel” referuar “Qendrës Kombëtare të Biznesit” tregojnë për një shifër rreth 1.96 mld lekë ose e shprehur në valutë rreth 16.7 mln euro, e cila krahasuar me vitin 2020 është rritur me 281%. Për dy kompanitë më të mëdha, “Genius” dhe “Intermedica” shohim marzhe fitimi mjaft të larta, të cilat nuk janë hasur më parë në asnjë treg tjetër të marrë në analizë. Për “Genius Lab”, marzhet e fitimit për vitin 2021 fiksohen pra 56.1%, ndërsa për “Intermedica” pranë 30.5%. Pranë 41.3% ndërkohë regjistrohen marzhet e fitimit për të 7-ta laboratoret private të marra në analizë. Ndërkohë, për të kuptuar impaktin e pandemisë në fitimet e laboratoreve private, mjafton të themi se përpara Covid-19, marzhet e fitimit neto të laboratoreve ishin vetëm 12%, nga mbi 40% që u ngjitën me pandeminë.

Nga treguesit e mësipërm në mënyrë të qartë vihet re ndikimi pozitiv që ka patur pandemia në këtë industri, ndyshe nga industri të tjera të analizuara më parë nga “Scan Intel”. Për të shprehur më qartë këtë ndikim, “Scan Intel” ka vënë përballë periudhën para pandemisë me periudhën pas pandemisë. Kjo përballje bëhet përmes shifrave të të ardhurave dhe fitimeve që kanë gjeneruar laboratoret private aktive në periudha të ndyshme. Të ardhurat e dy viteve të pandemisë, pra viti 2020 dhe 2021, për shtatë laboratorët që kanë derdhur të dhëna në QKB llogariten në 6.43 mld lekë ose ndryshe në 55 mln euro. Nga ana tjetër, të ardhurat e laboratorëve të cilët kanë derdhur bilance në QKB, gjatë vitit 2018 dhe 2019, në total llogariten në 1.29 mld lekë. Nga këto të dhëna shohim qartë se pandemia i ka kushtuar shqiptarëve rreth 5.1 mld lekë ose 43.7 mln lekë. Nëse ndryshimin dyvjetor të pandemisë me atë të para pademisë e llogarisim në përqindje, atëherë të ardhurat shihet se janë rritur me 396%. Por si paraqitet ky raport sa i përket fitimeve? Fitmet për vitin 2018-të dhe 2019-të së bashku llogariten në 261 mln lekë, ndërkohë që fitimet për vitin 2020 dhe 2021 së bashku arrijnë në 2.48 mld lekë. Pra, referuar shifrave fitimet gjatë dy viteve të pandemisë, krahasuar me dy vitet para pandemisë, janë rritur me 849%, ose e thënë në vlerë absolute janë rritur me 2.2 mld lekë. Kjo panoramë tregon qartë kostot e pandemisë në xhepat e shqiptarëve, por lë të përmendim këtu që për një periudhë kohe testi PCR ishte i detyrueshëm. Megjithatë, vlen të ritheksohet se përgjatë vitit 2019-të dhe vitit 2018-të disa nga laboratorët e lartpërmendur sapo kishin nisur aktivitetin, duke derdhur në “Qendrën Kombëtare të Bisnesit” shifra të papërfillshme.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Emigrantët sjellin një pagë shtesë në muaj/ Rekord këtë vit me remitancat, 320 euro mesatarisht për çdo familje, 376 mln euro në 6 muaj

Postimi mëparshëm

Instat thotë se konsumi është rritur/ Shitjet me pakicë, 6.4% më të larta se vjet, edhe karburantet me rritje

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.