Kuriozitete

Sa i paguan Shqipëria çdo vit OKB? $229 mijë, ose 0.008% të buxhetit të Organizatës

0

Organizata e Kombeve të Bashkuara është kthyer prej kohësh në qendër të vëmendjes, dhe sidomos gjatë muajve të fundit, duke u akuzuar për mungesë efikasiteti sa i përket rolit që duhet të ketë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Akuzat kanë ardhur jo vetëm nga Ukraina por edhe nga disa vende të zhvilluara. OKB është një organizatë e cila ka një buxhet vjetor prej disa miliardë dollarësh, mbi 50 miliardë, të cilat vijnë në formën e kontributeve nga vendet anëtare. Buxheti vjetor varion nga vitit në vit, kryesisht si pasojë e vendeve themeltare, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që derdhin në arkën e organizatës veç detyrimit, edhe shuma të ndryshme në mënyrë vullnetare. Madje sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë viteve të fundit 70% e shumës së paguar ndaj OKB ka qenë vullnetare.

Por sa paguan Shqipëria çdo vit? Bazuar në të dhënat e vetë Organizatës gjatë vitit të kaluar, vendi ynë ka paguar në formë kontributi si anëtare e Organizatës 229,814 dollarë amerikanë. Vendi ynë është në të njëjtat nivele me Jemenin, Zambian, Gjeorgjinë, Barbadosin dhe Xhamaikan. Thuajse në të njëjtat nivele ka qenë kjo shumë edhe përgjatë viteve të fundit. OKB çdo 3 vite përditëson peshën e secilit shtet në buxhetin vjetor, dhe ky vlerësim bazohet kryesisht në GDP dhe indikatorët e tjerë të pasurisë dhe të të ardhurave të një vendi si dhe nivelin e borxhit. Për Shqipërinë, përditësimi i fundit flet për vetëm 0.008% të buxhetit vjetor. Kjo peshë vlen edhe për vitin aktual dhe atë të ardhshëm, ndërkohë që ka qenë e njëjtë që prej vitit 2016. Në vitet 2010-2016 pesha që i takonte Shqipërisë në buxhetin e OKB-së fiksohej pranë 0.01%, pra më e lartë se sot. Ndërkohë, që nga viti 1955 deri në 1973 kjo peshë ka qenë pranë 0.04%, pra mbi 4 herë më e lartë, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Organizata.

Nga ana tjetër, të njëjtat shifra tregojnë se Shqipëria është pjesë e vendeve që nuk i pagujanë në kohën e përcaktuar këto detyrime, pra brenda datës 9 shkurt, së bashku me thuajse 2/3-tën e shteteve anëtare. Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët nuk përfshihen në listë, si vend që derdh kontribut vullnetar, vjen Kina, me plot 438 milionë dollarë në vit, ndjekur nga Japonia, me 230 milionë dollarë, Gjermania, me 175 milionë dollarë, Mbretëria e Bashkuar me 125 milionë dhe Franca me 24 milionë.

Në harkun e një dekade (2010-2020), Organizata e Kombeve të Bashkuara ka mbledhur plot 540 miliardë dollarë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kreditë e reja për biznesin pësojnë rënie në janar/ Tregtia vijon në vend të parë, ndërtimi i dyti, me 29% të totalit

Postimi mëparshëm

Rreth 22% e të rriturve në Shqipëri janë obezë/ Femrat regjistrojnë normën më të lartë, parashikohet rritje alarmante e obezitetit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.